Lajme

Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e këtyre dy personave, dyshohen për vjedhje të rëndë

08/19/2025 15:29
nga:Y I

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale në Gjilan, ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e dy personave që kërkohen për vjedhje të rëndë.

Policia ka publikuar një fotografi të këtyre dy personave, ndërsa tha se nuk dihet mosha, adresa e banimit apo komuna e tyre.

“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, me qëllim identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve, lëshon këtë kërkesë për bashkëpunim me qytetarë dhe mediat. Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan në vazhdimësi ka marrë dhe është duke marrë të gjitha veprimet me qëllim të identifikimit, lokalizimit dhe arrestimit të personave të dyshuar”, thuhet në thirrjen e policisë.

“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale Gjilan kërkon nga qytetarët dhe mediat që kushdo që ka informacion për identitetin dhe vendndodhjen e personave në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë’’, E-mail: [email protected] dhe numrat kujdestarë:192; 03850807001. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”.