Zgjedhjet lokale të 12 tetorit në katër komunat veriore të Kosovës pritet të sjellin fitoren e Listës Serbe. Mirëpo pasojat e këtij rezultati po vlerësohen ndryshe nga njohësit e çështjeve politike.
Gazetari serb, Branislav Kërstiç, për Gazetën Blic, tha se mbështetja për Listën Serbe është pasojë e varësisë së komunitetit serb nga buxheti i Serbisë dhe ndikimit të presidentit Aleksandar Vučić.
“Serbët e Kosovës janë të lidhur me buxhetin e shtetit serb nga interesi dhe ekzistenca. Pas 13 vitesh që Lista Serbe ka qenë në pushtet, trupi votues serb është i anestezuar dhe do të votojë për eutanazinë e vet. Fatkeqësisht, kjo do të thotë që Lista Serbe do të fitojë shumicën e votave në veri të Kosovës”, tha Kërstiç.
Ai shtoi se ky rezultat është katastrofik për komunitetin serb në Kosovë.
“Pasojat janë katastrofike për interesat e komunitetit serb në Kosovë, sepse Lista Serbe është një organizatë kriminale që është regjistruar si parti politike në Kosovë. Për vite me radhë, Lista Serbe nuk ka luftuar për interesat e komunitetit, por për interesat e veta dhe të Beogradit të zakonshëm”, tha Kërstiç për Gazeta Blic.
Në anën tjetër, Profesori i Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu, ka deklaruar se pjesëmarrja dhe fitorja e Listës Serbe në katër komunat veriore të Kosovës në zgjedhjet lokale 2025 do të kontribuojë në forcimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës.
Megjithatë, sipas tij, ne aspektin simbolik po bëhen gabime fatale që rrezikojnë funksionimin e ligjit dhe autoritetin e institucioneve.
“Lista Serbe do t’i fitojë të katër komunat në veri. Sovraniteti i shtetit të Kosovës vetëm sa do të forcohet. Por, në aspektin simbolik jemi duke bërë gabime fatale”, u shpreh Spahiu për Gazeta Blic.
“Kryetari i Zveçanit jashtëligjshëm ka vendosur flamurin e Shqipërisë në komunë dhe kjo i jep të drejtë pasardhësit të tij ta heqë atë dhe ta vendosë flamurin e Serbisë”, shtoi ai.
Politologu Spahiu u shpreh se mosveprimi i institucioneve të rendit ne raste të tilla e dobëson shtetin e Kosovës.
“Si do të veprojë ligji në këtë rast kur nuk po vepron ndaj kryetarëve shqiptarë të cilët në objekte komunale jashtëligjshëm kanë vendosur flamurin e Shqiperisë, Amerikës, BE-së etj”, theksoi profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu./Gazetën Blic/


