Komuna e Prishtinës, të hënën, nën asistimin e Policisë së Kosovës, nuk ka lejuar autobusët ndërurban të Podujevës të ndalojnë te “Xhamia e Llapit” në kryeqytet, ngase sipas komunës, paraqet rrezik për sigurinë në trafik dhe rendin publik.
Ndërsa, sot pjesëtarë të Shoqatës së Transportit të Autobusëve Prishtinë-Podujevë janë grumbulluar para objektit të komunës në kryeqytet për të protestuar, pas vendimit që ua ndalon autobusëve të stacionohen te “Xhamia e Llapit” në Prishtinë, raporton Gazeta Blic.
Kryetari i Shoqatës së Transportit të Autobusëve, Beqir Mustafa, në një konferencë për media ka thënë se inspektorët u kanë shqiptuar gjoba duke theksuar se protestat do të vazhdojnë derisa kërkesat e tyre të plotësohen.
“Ne jemi dalë me ju përmbajt rendit të udhëtimit që e kemi të vërtetuar nga ministria. Na kanë ndaluar inspektorët, na kanë dënuar me 500 euro, na kanë marrë tabelat. Ne i kemi autobusët aty ku na kanë ndërpre. Nuk punojmë deri në realizim të pikave tona që i kemi kërkuar prej tyre. Na kanë respektuar rendin e udhëtimit që e kemi nga ministria, atëherë do të punojmë… Jemi marrë vesh me i larguar taksitë, ju keni shkuar andej, ata nuk i kanë larguar taksitë. Ne nuk do të tërhiqemi deri në realizimin e kërkesave tona. Nuk i kanë mbajtur kushtet asnjëherë”, ka thënë ai.
Nga Komuna e Prishtinës janë deklaruar lidhur me këtë çështje.
Donat Lushaku, nga radhët e Lidhjes Demokratike në Prishtinë, e cila qeveris me kryeqytetin, për Gazeta Blic tha se përveç këtij vendimi, hapat e ardhshëm të Komunës së Prishtinës janë edhe largimi i taksive ilegale për Podujevë dhe rishqyrtimi i dy linjave të kontraktuara nga komuna që të mos shkelin në territorin e Komunës së Podujevës.
“Vendimi është që bashkë me Policinë e Inspeksionin të kontrollohen pjesë të caktuara të qytetit, që të mos ketë hyrje-dalje të pakontrolluara dhe të palejuara. Hapat e ardhshëm janë që të shqyrtohen kërkesat tjera të shoqatës dhe jo vetëm; largimi i taksive ilegale për Podujevë dhe rishqyrtimi i dy linjave të kontraktuara nga komuna që të mos shkelin në territorin e komunës së Podujevës. Të gjithë autobusët e Podujevës duhet të shkojnë si pikë finale në Stacion të Autobusëve, ashtu që t’ua mundësojnë edhe qytetarëve të tyre të kenë mundësi pajisjeje me biletën e integruar”, tha ai.
Ndërsa, Faton Zeka, asamblist nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, për Gazeta Blic ka thënë se kjo qasje e shoqatës së autobusëve është e papranueshme dhe se ata autobusë duhet të ndalen në stacionin e autobusëve, ku ndalen të gjithë autobusët nga qytetet e tjera.
“Ndalesa e kanë te Xhamia e Llapit, sepse është kthesë ndërurbane, aty ndalen autobusët lokalë të Prishtinës, ata e kanë Podujevë-Prishtinë, duhet të shkojnë në stacion të autobusëve për t’i shpërndarë njerëzit. Ata po duan të kenë privilegjin, ashtu siç kanë qenë për 25 vjet aty, kanë marrë udhëtarë në çdo stacion të Prishtinës dhe brenda linjave lokale. Për ne është e drejtë çdo protestë që bëjnë punëtorët për të kërkuar të drejtat e tyre, por në këtë rast kemi të bëjmë me një kërkesë për privilegj, duke pasur parasysh që qytetet e tjera që vijnë në Prishtinë, e kanë të obliguar futjen dhe shkarkimin e njerëzve në stacion të autobusëve. Për ne kjo qasje është e papranueshme, edhe pse për ne është problematike komplet rregullimi i autobusëve në Prishtinë”, tha Zeka./Gazeta Blic/


