Nesër në ora 11:00 do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit, pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese dje.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, thotë për Gazeta Blic se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit varet nga gatishmëria e VV-së.
“Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit varet nga gatishmëria e Lëvizjes Vetëvendosje për të propozuar një kandidat që mund të sigurojë 61 vota në Kuvend dhe Albulena Haxhiu nuk është njëra prej tyre. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka qartësuar se propozimi për votim të fshehtë në mënyrën si ka ndodhur dhe ndërprerjet arbitrare të seancës ishin jokushtetuese dhe ka vendosur kufizime strikte: votimi për Kryetarin duhet të jetë i hapur dhe i kufizuar deri në tri herë për të njëjtin kandidat”, shprehet ajo.
Bajrami ka potencuar se Albulena Haxhiu ka dështuar të zgjedhet kryeparlamentare për gjashtë herë në votim të hapur dhe nëse kandidohet sërish, shihet se VV nuk ka reflektuar dhe s’ka interes ta konstituojë Kuvendin.
“Albulena Haxhiu në votim të hapur ka dështuar gjashtë herë, por edhe kundërshtimi 48 herë i komisionit për votim të fshehtë nga ana e deputetëve të Kuvendit ka qenë votë edhe kundër Albulena Haxhiut. Në rast se nesër prapë propozohet zonja Haxhiu, atëherë shihet qartë se LVV nuk ka reflektuar, nuk ka interesim as interes për të konstituuar Kuvendin dhe do të vazhdojë me bllokadë”, ka theksuar ajo për Gazeta Blic.
Bajrami ka thënë se LDK s’ka ndryshuar qëndrim, pasi nuk është shkaktare e bllokadës.
“LDK nuk është shkaktare e bllokadës andaj edhe s’ka pse të ndryshojë qëndrim”, ka deklaruar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami./Gazeta Blic/
Kuvendi e konfirmon: Nesër mbahet seanca konstituive


