Lajme

“Faji është te Vetëvendosja”/ Demhasaj: Kosova rrezikon zgjedhje të reja pas ultimatumit të Kushtetueses

08/18/2025 13:43
nga:N K

Më 8 gusht u publikua vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në të cilin thuhej se Kuvendi i Kosovës ka afat 30-ditor për të zgjedhur kryeparlamentarin/en. Megjithatë, aktgjykimi i plotë i gjykatës nuk është publikuar ende në Gazetën Zyrtare, për të nisur më pas me procedurat e mbajtjes së seancës konstituive.

Sipas analistit, Arton Demhasaj, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ka qenë si njoftim, por pasojat juridike do të kuptohen më mirë pas publikimit të aktgjykimit të plotë.

“Mendoj që vendimi fillestar ka qenë vetëm si njoftim. Tash, derisa të dalë aktgjykimi i plotë dhe të shihet aty nëse parashihen pasoja juridike në rast se Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda 30 ditëve, ashtu siç e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, me gjasë atëherë mund të ndodhë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”, tha ai për Gazeta Blic.

Demhasaj thekson se nëse aktgjykimi përcakton qartë pasoja juridike për moskonstituimin e Kuvendit, atëherë Presidentja ka mandat të plotë të veprojë dhe të thërrasë zgjedhje.

“Nëse Gjykata Kushtetuese parashikon pasoja juridike, kjo do të thotë që, në rast se Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda 30 ditëve, atëherë Presidentja e ka rrugën e hapur për t’i thirrur partitë politike në konsultime, për të diskutuar dhe për të caktuar datën e zgjedhjeve. Derisa të publikohet aktgjykimi i plotë, nuk mund të themi me siguri nëse ka pasoja juridike”, shprehet ai.

Sipas Demhasajt, zvarritja në konstituimin e Kuvendit ka sjellë pasoja serioze për funksionimin e institucioneve dhe për mundësinë e shfrytëzimit të fondeve nga Bashkimi Evropian.

“Rreziqet janë të mëdha, sepse një numër i madh institucionesh, që bordet e tyre zgjidhen nga Kuvendi, kanë mbetur të bllokuara. Normalisht, sa më shumë që vonohet ky proces, aq më shumë do të rritet edhe numri i institucioneve që mbesin pa borde dhe, për pasojë, pa vendimmarrje, pikërisht për shkak se Kuvendi nuk po konstituohet. Pastaj janë edhe fondet e Bashkimit Evropian, të cilat, në mungesë të Kuvendit për të ratifikuar marrëveshjet me BE-në, rrezikojnë të humbin ose të shtyhen. Po ashtu, është edhe një mori ligjesh që Gjykata Kushtetuese i ka kthyer për rishqyrtim dhe ato ligje janë të bllokuara. Pra, janë rreziqe të mëdha me të cilat po përballet Kosova, pikërisht për shkak të mungesës së Kuvendit”, theksoi ai për Gazeta Blic.

Analisti potencoi se problemi kryesor i bllokadës së Kuvendit është Lëvizja Vetëvendosje.

“Është e qartë që, me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, shumë gjëra janë sqaruar, dhe tashmë dihet se problemi kryesor i bllokadës, pa diskutim, është Vetëvendosja. Për aq kohë sa Vetëvendosja nuk reflekton dhe nuk kërkon të nxjerrë një kandidat konsensual, të cilin partitë e tjera do ta pranonin për ta votuar, atëherë bllokuesi është Vetëvendosja, dhe të gjitha pasojat që po i bart Kosova aktualisht – faji është te Vetëvendosja, pa asnjë dyshim”, përfundon Arton Demhasaj.

Kujtojmë që Kuvendi i Kosovës ka mbetur i paralizuar për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme për të zgjedhur kryetarin/en e tij. Mospajtimet politike, kryesisht për mënyrën e votimit dhe kandidaturën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë çuar në bojkot të seancave nga opozita dhe thellim të krizës institucionale./Gazeta Blic/