Lajme

Hetimet për arratisje nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë/ Haxhiu: Arrestohet dhe pezullohet nga puna edhe një oficer korrektues

08/14/2025 16:23
nga:G B

Ministrja në detyrë e drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se edhe një oficer korrektues është arrestuar dhe pezulluar nga puna, në lidhje me arratisjen e të burgosurit serb, Gjorgje Radimiroviq, më 7 gusht të këtij viti, raporton Gazeta Blic.

Ajo ka thënë se numri i zyrtarëve të pezulluar arrin në gjashtë, teksa ka thënë se askush nuk është mbi ligjin.

Postimi i saj i plotë:

Në kuadër të hetimeve për arratisjen nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë, sot është pezulluar nga puna edhe një oficer korrektues, i cili edhe është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë rast, numri i zyrtarëve të pezulluar arrin në gjashtë: drejtori i Qendrës, një mbikëqyrës i lartë dhe katër zyrtarë korrektues.

Si Ministre e Drejtësisë, ritheksoj se askush nuk është mbi ligjin. Çdo shkelje do të trajtohet me vendosmëri, duke garantuar llogaridhënie dhe siguri në të gjitha institucionet korrektuese.