Kreu i Nismës, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, ka folur për bisedimet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, raporton Gazeta Blic.
Ai në Debat Plus në RTV Dukagjini, ka thënë se ka biseduar për disa tema për çështjen e kuvendit por s’ka dashur të bisedojë për qeverinë.
“Janë disa tema që i kemi biseduar. Jo, jo, jo, s’kemi përmend për ministri. Unë nuk kam pranuar të flasim për qeveri, s’jemi lëshuar deri aty. S’po flasim për qeveri hiç, po flasim për këtu këto tema. Kanë qenë takime korrekte”, tha Limaj.
Ai tha se Kurti ka pasur gatishmëri për ofertë gjeneroze por që Limaj thotë se aktualisht e sheh veten në pozitën e kryeparlamentarit, që aty mund të japë kontributin më mirë.
“Gatishmërinë për një ofertë gjeneroze. Por, shikoni…ne kemi një kuotë në politikë, unë kam dëshirë të lë gjurmë, t’i shërbej mirë vendit tim aty ku jam t’i shërbej fort dhe ku mund t’i shërbej fort dhe kam dëshirë të jem dikur ku e shoh që gjërat nuk janë mirë dhe ku e shoh veten që mund të jap. Shumë është me rëndësi ta njoh njeriu veten se ku mund të japë më shumë. Aktualisht po e shoh që aty ku mund t’i shërbej më së shumti vendit ka qenë ai vend. Tash po flas edhe për shumë vendime që na vijnë, edhe për shumë situata që na vijnë”, theksoi ai, përcjell Gazeta Blic.
Por, a ka pasur mirëbesim mes tij dhe Kurti, a i ka besuar Limaj, Kurtit?
Ai tha se kanë pasur rezerva të dy por që ato mund të zbuten me kohën nëse arrihet partneritet.
“Besoj që në. Takimet kanë qenë korrekte. Kemi filluar të krijojmë një komunikim dhe ta kuptojmë njëri-tjetrin për këto tema për të cilat fola. Besoj se edhe ai edhe ne kemi ende shumë nevojë që të ndërtohet mirëbesimi. Ai ndërtohet me punë, me angazhim, duhet ende kohë për t’u përafruar, kemi dallime, kemi rezerva, të dyanshme, që është normale por këto rezerva kalohen nëse kemi qëllim të punojmë diçka të mirë për vendin dhe një partneritet i mirë mund t’i tejkalojë këto rezerva që janë nga ana jonë dhe nga ata e tyre, por kur ndërton partneritet, fillon ngadalë të zbuten ato rezerva, nëse ka partneritet të suksesshëm, nëse jo e sheh që nuk shkon. Po, ne kemi rezerva sepse s’jemi të kënaqur me gjendjen në vend, me shumë gjëra”, deklaroi Limaj./Gazeta Blic/


