Lajme

Berisha për emërimin e Mentor Hysenit në ATK: Rrezikohet pavarësia institucionale – Krijohen dyshime për ndikim politik

08/13/2025 22:00
nga:Sh R

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore, është përzgjedhur dhe emëruar Drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni.

Hyseni në vitin 2019 kishte qenë kandidat i LVV-së për deputet, e kjo ka nxitur edhe reagime të ndryshme.

Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në një prononcim për GazetaBlic, ka theksuar se nëse kandidati për deputet i LVV-së nuk ka mbajtur funksion politik, ligjërisht nuk mund të konsiderohet automatikisht konflikt interesi.

“Po tashohim ketë emrim në korelacion me legjislacionin dhe kontekstin politik në Kosovë, atëherë në bazë të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Ligjit për Shërbimin Civil, kufizimet kryesore lidhen me funksionarët politikë në detyrë dhe me periudhat e “ftohjes” (cooling-off period) për të kaluar nga pozita politike në pozita të larta administrative. Nëse kandidati për deputet i LVV-së nuk ka mbajtur funksion politik, ligjërisht nuk mund të konsiderohet automatikisht konflikt interesi”, tha ai.

Por sipas tij, rasti hyn në një “zonë gri” i cili shton se krijohet dyshimi i aryeshëm për ndikim politik mbi një organ që duhet të jetë tërësisht i pavarur.

“Megjithatë, në praktikën kosovare ky rast bie në një zonë gri që lidhet me perceptimin publik të nepotizmit dhe kapjes institucionale. Kur një ish-kandidat për deputet i një partie në pushtet emërohet në krye të një institucioni si Administrata Tatimore, krijohet dyshimi i arsyeshëm për ndikim politik mbi një organ që duhet të jetë tërësisht i pavarur”, u shpreh tutje.

Ai thekson se çështja nuk është vetëm ligjore, por edhe politike dhe etike, pasi vë në pikëpyetje integritetin dhe ruajtjen e pavarësisë institucionale.

“Kjo nuk është vetëm çështje ligjore, por edhe politike e etike, pasi vendos në pikëpyetje integritetin dhe ruajtjen pavarësisë institucionale. Në rrafshin e konfliktit të interesit, ndonëse ligji mund të mos e ndalojë, Kodi i Mirëqeverisjes dhe standardet e administratës publike kërkojnë që për pozitat e tilla të zbatohet jo vetëm kriteri formal i ligjshmërisë, por edhe ai i përshtatshmërisë dhe besueshmërisë publike, për të shmangur çdo dyshim për kontroll politik të vendimmarrjes administrative”, përfundoi Berisha për GazetaBlic.