Analisti politik Arton Demhasaj, ka reaguar pas emërimit të Mentor Hysenit si drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, raporton GazetaBlic.
Demhasaj në një prononcim për GazetaBlic, tha se Hyseni, ish-kandidat për deputet nga radhët e VV-së, është emëruar nga një qeveri që, sipas tij, është jo legjitime dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
“Mentor Hyseni, ish-kandidat për deputet nga VV, emërohet Drejtor në ATK nga një qeveri jo legjitime dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, tha ai.
Ai përmend disa përpjekje për ta vendosur Hysenin në pozita kyçe gjatë viteve të fundit.
“Përpjekjet për ta vendosur në pozita kyçe nuk munguan:
• Fillimisht u tentua të bëhej Auditor Gjeneral, në krye të ZKA-së – dështoi.
• Pastaj u vendos në Bordin e AKP-së dhe më pas Drejtor Bordi.
• U emërua edhe në Bordin e Ujësjellësit.
• Dhe tani, “vulë” finale – Drejtor i ATK-së”, shtoi ai.
Demhasaj thekson dallimin mes qëndrimeve të VV-së sa ishte në opozitë dhe veprimeve të saj aktuale në pushtet.
“VV në opozitë: fuqishëm kundër emërimeve politike dhe kapjes së shtetit!
VV në pushtet: fuqishëm për emërime politike dhe kapje të shtetit!
Nga “luftëtarët” kundër emërimeve politike në opozitë…
…në kampionët e emërimeve politike në pushtet! “, përfundoi ai.


