21 punëtorë në sektorin e ndërtimtarisë kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës deri në fund të korrikut 2025, raporton Gazeta Blic/.
Kështu të paktën tha Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, i cili për Gazeta Blic shtoi se gjendja e sigurisë në sektorin e ndërtimtarisë është më e keqja dhe më e frikshmja që nga paslufta.
“Nuk është shumë e arsyeshme të japim fjalë të mëdha përderisa sivjet gjendja e sigurise së punëtorëve të ndërtimtarisë është më e keqja, më e frikshmja që nga paslufta, pasiqë deri në fund të korrikut të këtij viti kanë humbur jetën 21 punëtor në vendet e tyre të punës “, tha ai.
Ai theksoi se punëtorët e ndërtimit vazhdojnë të punojnë në kushte të rrezikshme, pa helmeta mbrojtëse, shumë prej tyre pa kontrata pune dhe pa sigurim shëndetësor.
I njëjti, për Gazeta Blic, tha se Inspektorati i Punës nuk e ka kryer me sukses detyrën e vet, ndonëse nuk mohoi që ka pasur inspektime.

“Sukseset e Inspektoratit janë baras me zero, ishalla i ruan Zoti këta punëtorë,” ka shtuar Azemi.
Ndër të tjera, ai tha se përveç faktit që shumë kompani u shmangen kontratave të punës, edhe vetë punëtorët shpesh nuk kanë interes për kontrata, për shkak të lëvizshmërisë së lartë dhe kërkimit të vazhdueshëm të vendeve të reja të punës
Sa i përket padive kundër kompanive të ndërtimit, Azemi akuzoi disa drejtues kompanish se korruptojnë gjykatës dhe prokurorë me shuma të vogla materiale, për të mbyllur rastet në favor të tyre. /GazetaBlic/


