Lajme

Mentor Hyseni emërohet Drejtor i ATK-së

08/13/2025 11:35
nga:Genita C

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se Drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës është emëruar Mentor Hyseni.

Sipas njoftimit, ky vendim është marrë pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe “në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore”.

Ministria tha se procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale, “duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për këtë pozitë me rëndësi të lartë”.

“MFPT ka besim të plotë që Z. Hyseni se do të vazhdojë dhe avancojë punën e mirë që është bërë deri më tani, në shërbim të një administrate moderne, transparente dhe të drejtë”, ka thënë Ministria në njoftim.

Kush është Mentor Hyseni?

Drejtori i ri i ATK-së, Mentor Hyseni, kishte aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2019 ndërkaq në zgjedhjet e atëhershme pati kandiduar edhe për deputet – por pa sukses.

Për këtë aderim kishte shkruar edhe vetë Albin Kurti, duke thënë, mes tjerash, se “ardhja e Mentorit në Lëvizje është vlerë e shtuar për të përmirësuar Politikat Publike, Ekonominë dhe Financat Publike në vendin tonë”.

Hyseni, në vitin 2021 ishte emëruar anëtar i bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), për t’u bërë dy vite më pas, kryesues i këtij bordi në këtë institucion.

Por, krahas kësaj pozite, Hyseni s’kishte mbetur pa gjë në Qeverinë Kurti 1, duke u emëruar anëtar i përkohshëm i bordit në KRU Prishtina.

Për më tepër, Hysenit i ishte ngritur aktakuzë më 21 korrik të vitit 2021 për deklarim të rrejshëm të pasurisë, gjë që ishte konfirmuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

“Prokurori i Shtetit pas shqyrtimit të lëndës dhe analizimit të provave ka ngritur Aktakuzë pran Gjykatës Themeiore në Prishtinë kundër të pandehurit Mentor (Heset) Hyseni, për veprën penale ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’ nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Konkursi për Drejtor të ATK-së është hapur më datë 8 maj 2024 dhe më 7 qershor 2024 është mbyllur.

Sipas konkursit, drejtori ka mandat katërvjeçar, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat, me vendim të kryeministrit, bazuar në performancën sipas rekomandimit nga ministri, pa zhvilluar procedurat e rekrutimit.