Situata e sigurisë rrugore në Kosovë vazhdon të mbetet e brishtë, me numër ende të lartë të aksidenteve, përfshirë ato me pasoja fatale.
Sipas ekspertit të komunikacionit Bekim Ahmeti, pavarësisht investimeve në infrastrukturë dhe rritjes së kontrollit policor, kombinimi i shpejtësisë së lartë, mosrespektimit të rregullave dhe gjendjes së automjeteve vazhdon të rrisë nivelin e rrezikut në rrugë.
I njejti për GazetaBlic tha se, nga muaji janar deri në muajin maj të këtij viti, prej gjithësej 28 aksidentëve me fatalitet, humbën jetën 32 persona.
Sipas Ahmetit, gjendja e rrugëve luan një rol të madh në parandalimin ose nxitjen e aksidenteve..
“Ndërsa mungesa e sinjalizimit, ndriçimit adekuat, paralajmërimeve për kthesa të rrezikshme dhe menaxhimit të kryqëzimeve e rrethrrotullimeve e rrit ndjeshëm probabilitetin e përplasjeve”, tha ai për Gazeta Blic.
E për gjobat ekzistuese, ndonëse janë rritur vitet e fundit ato nuk kanë sjellë efektin parandalues.
Ai sugjeron se gjobat duhet shoqëruar me kontroll te vazhdueshem e me monitorim elektronik.
“Vetëm rritja e gjobës pa kontroll efektiv nuk sjell ndryshim të qëndrueshëm,” thotë ai.


