Avokati Ardian Bajraktari ka komentuar mbi rritjen e recidivizmit në krime, veçanërisht në rastet e vrasjeve, duke theksuar se një numër i konsiderueshëm i kryerësve të veprave penale janë përsëritës të këtyre veprave.
Ai për GazetaBlic shpjegoi se kjo tregon se shkalla e dënimeve dhe proceset e risocializimit për këta individë nuk janë të mjaftueshme për të arritur qëllimet e ndëshkimit dhe rehabilitimit.
“Fakti që një numër i konsiderueshëm i kryerësve të veprave penale në përgjithësi e atyre të vrasjeve në veçanti po del që janë përsëritës të këtyre veprave, apo siç njihen në terminologjinë juridike, recidivistë. Kjo nënkupton që shkalla përkatësisht lartësia e dënimit si dhe procesi i risocializim të tyre nuk është arritur mjaftueshëm”, tha Bajraktari.
Ai ka shtuar se duhet të shqiptohen dënime më të ashpra për këta individë dhe të rishikohet politika e ekzekutimit të sanksioneve për të garantuar risocializimin dhe riedukimin e tyre.
“Prandaj duhet rishikim, si të politikave ndëshkimore, veçmas kur kemi të bëjmë me kryerës përsëritës të veprave penale, të njëjtëve t’u shqipërohen dënime më të ashpra, e po ashtu edhe rishikim i politikës së ekzekutimit të sanksioneve penale, me qellim që këta persona të risocializohen dhe riedukohen”, thotë Bajraktari.
Po ashtu, ai ka nënvizuar se prezenca e një numri të madh armësh në duar të qytetarëve është një faktor i rëndësishëm që kontribuon në rritjen e krimeve të dhunshme.
Bajraktari apelon për masa të menjëhershme për të adresuar këto shqetësime dhe për të përmirësuar sistemin ndëshkimor dhe sigurinë në vend.
“Po ashtu edhe prezenca e numrit të madh të armëve në duar të qytetarëve, është një shkaktar shumë i rëndësishëm, prandaj duhet punuar shumë që qytetarët të mos mbajnë armë, ato janë një rrezik potencial për rendin dhe sigurinë”, përfundoi ai për GazetaBlic.
“Fillimisht i nxitën qentë në përleshje”… Prokuroria jep detaje për vrasjen në Prizren


