Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, aktualisht deputet i PDK-së, Rashit Qalaj ka reaguar ndaj rastit tragjik në Gjilan, ku tre persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë u plagosën.
Rashit Qalaj, në një prononcim për GazetaBlic shprehu shqetësime serioze për mënyrën se si trajtohen personat me të kaluar kriminale, për mungesën e koordinimit ndërinstitucional dhe për ndikimin e politikës në funksionimin e sistemit të drejtësisë.
“Mendoj që rastet e tilla janë të shpeshta dhe shkaktojnë shqetësim serioz nga aspekti i sigurisë së qytetarëve të Kosovës. Edhe sistemi i drejtësisë dhe i sigurisë në përgjithësi kanë nevojë për një ndryshim, meqenëse po e shohim se personat të cilët kanë probleme me ligjin, vazhdimisht po kryejnë raste. Dhe pastaj, shumica prej këtyre rasteve po përfundojnë me incidente të rënda, siç janë vrasjet. Pra, është e pafalshme që në Gjilan, por edhe kudo në Kosovë, të ndodhin raste të tilla prej personave me të kaluar kriminale dhe prej personave për të cilët njihet e kaluara e tyre”, tha ai.
Ish-drejtori i Policisë shpreh shqetësimin për mungesën e bashkëpunimit efektiv ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë. Sipas tij, ky koordinim është i domosdoshëm.
“Duhet një koordinim më i mirë i sistemit të drejtësisë dhe sigurisë. Unë e di që Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Kosovës i kanë të koordinuara databazat e tyre, dhe nuk duhet lejuar që personi që ka kryer vepër penale dhe që është në vuajtje të dënimit, të lirohet kur, në anën tjetër, ai kërkohet për raste të tjera nga Policia e Kosovës. Pra, besoj që ka nevojë për një koordinim më të mirë, dhe kjo është e mundur, meqenëse databazat e tyre janë të integruara”, u shpreh ai për gazeta Blic.
Qalaj thekson se pas lirimit nga burgu, nuk ka asnjë sistem që i monitoron të dënuarit. Ai kërkon reforma ligjore që ta adresojnë këtë boshllëk.
“Është më me rëndësi që personat që vuajnë dënimin, të cilët e kanë kryer në një farë mase dënimin apo janë liruar, të jenë pjesë e një sistemi apo mekanizmi që monitoron sjelljen e tyre pas lirimit. Nuk ka ndonjë sistem apo mekanizëm të tillë aktualisht. Mendoj që edhe në aspektin legjislativ duhet të kujdesemi që një reformë e tillë të jetë prezente në Kosovë” tha ai.
Ai kritikon përplasjet mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Prokurorial, duke kërkuar largimin e ndikimit politik dhe mbështetje për një sistem më të avancuar.
“Kur flasim për sistemin e drejtësisë, e kemi një situatë jo të mirë – një lloj mosbashkëpunimi në nivelin e duhur mes Ministrisë dhe Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial. Kemi vazhdimisht përplasje në mes të Ministres së Drejtësisë dhe Këshillit Prokurorial. Mendoj që politika duhet të qëndrojë sa më larg institucioneve të pavarura, dhe në fund, politika duhet të mbështesë sa më shumë që është e mundur që të kemi një sistem gjyqësor sa më të avancuar. I takon Këshillit Prokurorial që t’i bëjë reformat e duhura, gjithmonë me mbështetjen e qeverisë apo të Ministrisë së Drejtësisë”, tha ai për GazetaBlic.
Kujtojmë se, rastet me konflikte personale e deri te përfshirja në aktivitete kriminale po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në Kosovë, duke lënë pasoja të rënda për shoqërinë dhe duke sfiduar kapacitetin e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë për t’i parandaluar ato.


