Lajme

Projektet milionëshe gjatë mandatit 4 vjeçar| Bulliqi i bindur se fiton edhe një mandat në krye të Podujevës – dy fjalë për kundërkandidatët

08/06/2025 17:37
nga:G B

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për sfidat gjatë këtij mandati qeverisës, projektet milionëshe që ka realizuar, rikandidimin e tij për të parin e Podujevës e krizën politike në vend.

“Sigurisht që qeverisja lokale karakterizohet me sfidat e veta. Komuna e Podujevës është në grupin e komunave të mëdha dhe duke pasur parasysh mundësitë buxhetore dhe kërkesat e qytetarëve, sigurisht që ka gjithherë sfida por kemi bërë përpjekje që gjatë kësaj periudhe kohore t’i bëjmë ballë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve dhe mund të themi lirisht që në masë të madhe ia kemi arritur, kjo falë ndihmës nga niveli qendror dhe bashkëpunimi me një numër të madh donatorësh, të cilët kanë ndihmuar në realizimin e një varg projektesh të rëndësishme për qytetarët tanë”, ka thënë ai.

Bulliqi ka përmendur projektet milionëshe që ka realizuar për 4 vite, që thotë se kanë qenë në të mirën e qytetarëve.

“Dua t’i përmend vetëm projektet që kalojnë vlerat milionëshe. Është urgjenca e Podujevës, një projekt në vlerë 1.7 milion euro dhe tashmë është e kemi në dispozicion urgjencën më moderne që është bërë, pastaj projekti i stacionit të autobusëve, një projekt në vlerë 1.3 milion euro, që është në bashkëfinancim me ministrinë e zhvillimit rajonal, pastaj e kemi qendrën multifunksionale, projekt me ministrinë e kulturës, projekt në vlerë 1.1 milion euro, tregun e gjelbër të Podujevës, vlerë 1.3 milionë euro, shkollën e kompetencës projekt 2.3 milionë euro që është duke e financuar komplet ministria e arsimit, pastaj e kemi ndërtimin e shkollës ekonomike “Isa Boletini”, projekt i financuar nga buxheti komunal, në vlerë 2.5 milionë euro dhe një projekt tjetër që është prej projekteve të rëndësishme ndërtimi i banesave për banim të përballueshëm, projekt mbi 13 milionë euro, që është bashkëfinancim me ministrinë e mjedisit. Mirëpo, nuk janë të vetmet këto projekte, kemi edhe një varg projektesh që janë me rëndësi jetike për qytetarët, siç është liqeni

E kemi gjetur qytetin e Podujevës me 1 çerdhe publike dhe po e mbyllim mandatin tonë më 9 çerdhe publike, + 8 të reja dhe gjatë këtij mandati po bëhen 10 objekte të reja shkollore, shumica prej tyre edhe me palestra sportive”, është shprehur ai.

“Kemi projektin e parkut industrial, projekt që po financohet nga ministria e industrisë, në vlerë 4 milionë euro, është në përfundim të procesit të prokurorimit, jemi duke pritur nënshkrimin e kontratës me operatorin ekonomik”.

Ai është shprehur i bindur se do të fitojë edhe një mandat në krye të Podujevës.

“Kemi punuar maksimalisht gjatë këtij mandati dhe jemi përpjekur që të realizojmë projekte të rëndësishme për qytetarët. Unë kam besim se do ta marr besimin e qytetarëve edhe për një mandat në udhëheqjen e komunës së Podujevës dhe kemi edhe projekte tjera që me ekipet e mia jemi duke i punuar, duke e përgatitur programin zgjedhor. Ka shumë projekte për të cilat kanë nevojë qytetarët tanë dhe unë me ekipin tim do t’i realizojmë në mandatin e ardhshëm”, ka potencuar Bulliqi për Gazeta Blic.

Teksa nuk përmendi përqindje që pret të fitojë, ai u shpreh optimist se procesi zgjedhor do të mbyllet në raundin e parë.

“S’mund të flasim tash për përqindje por besoj që do të kemi rezultat solid që do të na mundësojë të përmbyllim procesin zgjedhor në raundin e parë”, shtoi ai.

I pari i Podujevës tregoi pse duhet ta votojnë qytetarët e kësaj komune edhe për një mandat.

“E para, qytetarët e Podujevës kanë pasur rastin që gjatë këtij mandati të shohin shumë punë të mira në interes të tyre, një seriozitet në punë duke filluar nga kryetari e pastaj dhe ekipi. Ne jemi njerëz pragmatik, njerëz që punojmë, japim rezultate dhe premtimet që i bëjmë, ato i zbatojmë në interes të qytetarëve”, tha ai.

Bulliqi pati dy fjalë dhe për kundërkandidatët.

“Respekt për çdonjërin nga kundërkandidatët që do të jemi në këtë garë zgjedhore por unë mendoj se qytetarët e Podujevës e dinë mënyrën se si qeveriset mirë, i kanë parë punët dhe projektet e mira që janë bërë në interes të tyre. Sot mjafton të dilet në sheshin e Podujevës dhe shumë qytetarë i kujtojnë pamjet e banimit kolektiv, pamja e vrazhdë dhe si është sot kjo pamje”, ka deklaruar Shpejtim Bulliqi./Gazeta Blic/