Një tjetër mbrëmje emocionuese, një tjetër synim për histori nga Shkëndija.
Skuadra shqiptare do të përballet sonte me Qarabag, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues për Ligën e Kampionëve, shkruan GazetaBlic Sport.
Ndeshja mes Shkëndijës dhe Qarabagut do të luhet sonte në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup duke filluar nga ora 20:00.
Ish futbollisti i skuadrës shqiptare nga Tetova, Faton Cecelia, tha për ‘GazetaBlic Sport‘ se pret që Shkëndija të luajë në mënyrë agresive dhe dinamike, ashtu siç bëri ndaj FCSB.
“Pres një lojë dinamike dhe agresive nga Shkëndija. Ndaj FCSB, loja por edhe ana taktike ka qenë e jashtëzakonshme. Nëse ka një rezultat pozitiv sonte, një fitore minimale ose me dy gola epërsi, besoj se Shkëndija do të kalojë tutje”, tha fillimisht, ish lojtari dhe tashmë trajneri, Cecelia.

Tutje, ai dha edhe një koment për ‘Ballistët’ dhe tifozët që do të jenë sonte stadium, ku pritet të jenë rreth 20 mijë të pranishëm.
“Mbështetja e madhe nga ‘Ballistët’ do të jetë një përparësi për Shkëndijën. Ata e përkrahin gjithmonë skuadrën deri në momentet e fundit të ndeshjes. Janë një tifozeri e flaktë dhe shumë patriotike. Mesazhi im është që stadiumi të jetë i stërmbushur. Jam shumë i lumtur që kam luajtur për Shkëndijën dhe me përkrahjen e madhe që më kanë dhënë ‘Ballistët’“, përfundoi Cecelia.
/GazetaBlic Sport/


