Lajme

“Specialja është dashur të jetë inekzistente”/ Jashari: Krerët e UÇK-së në Hagë do të kthehen të pafajshëm – ka një thirrje për krerët e shtetit

08/05/2025 09:46
nga:G B

Janë bërë 10 vjet që nga themelimi i Gjykatës Speciale.

Kjo gjykatë është kundërshtuar që nga fillimi nga organizatat e dala nga lufta dhe kundërshtimi vazhdon ende, edhe 10 vite pas.

Kundër kësaj proteste do të mbahet protestë të enjten, në ora 17:00 në Prishtinë.

Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se kanë qëndrimet e njëjta kundër Speciales dhe se ajo sot nuk është dashur të ekzistojë.

“Ne edhe atëherë edhe sot, i kemi qëndrimet dhe mendimet e njëjta. Mendoj se është faktuar nga qëndrimet tona se ne nuk e njohim këtë gjykatë, nuk e kemi njohur as atëherë dhe iu kemi pas bërë thirrje dhe kemi protestuar që të mos i jepet mundësia një gjykate të tillë, sepse e kemi ditur se është gjykatë e dëmshme, selektive, e njëanshme, madje politike e cila tani e ka dëshmuar se ka bashkëpunuar me prokurorinë serbe, me shpifje të një raporti të Dick Martyt, që siç dihet mendoj se edhe institucionet tona nuk është dashur të rrinë, jo të përzihen në drejtësi por të kërkojnë nga ajo çka është thënë dhe është shpikur për luftën e UÇK-së se gjoja ka bërë trafikim organesh dhe mendoj se kjo gjykatë që është ngritur mbi këtë raport, tani është dashur të jetë inekzistente”, ka thënë ai.

Jashari ka theksuar se gjykata po funksionon me mandat të skaduar, teksa ka shtuar se besojnë se pafajësia do të vërtetohet për ata që mbahen atje.

Ai ka dhe një pyetje për faktorin ndërkombëtar.

“Dihet që funksionon me mandat të skaduar, megjithatë ne besojmë se pafajësia do të vërtetohet dhe ata që mbahen atje mbahen politikisht dhe do t’ia shtroja një pyetje opinionit ndërkombëtar, drejtësisë por edhe faktorit politik të përmasave globale se si do të ndiheshin po të merrej siç është marrë presidenti Thaçi nga ulësja e presidentit, të dërgohet në Hagë dhe t’i ngritët një aktakuzë kinse për krime të luftës dhe kjo gjykatë nuk merret realisht me të gjitha ato që kanë ndodhur në Kosovë sepse dihet kush ka qenë kriminel dhe kush ka bërë krime, dhe në këtë rast janë ushtria, policia serbe që ka bërë krime dhe kemi mbi 502 masakra që janë bërë në Kosovë dhe askush deri më sot nuk është vënë në bankën e të akuzuarit dhe nuk e ka marrë dënimin meritor për krimin që e ka bërë”, ka vlerësuar ai.

Po ashtu, Jashari ka thënë se ata që janë në Hagë s’po gjykohen si individë por po gjykohet lufta e UÇK-së.

“Megjithatë ne jemi në qëndrimet tona dhe sikurse kanë dështuar edhe organet e drejtësisë të instaluara në Kosovë, qoftë UNMIK-u, qoftë EULEX-i, të cilët me shpifje janë marrë dhe target ka qenë lufta e UÇK-së, siç është edhe sot, sepse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi po edhe të tjerët nuk janë individë por ky është sulm ndaj luftës së UÇK-së, me terminologji që janë të papranueshme. Madje kur thuhet me terminologji organizatë e përbashkët kriminale dhe ky është sulm i rëndë edhe ndaj luftëtarëve, edhe ndaj popullit të Kosovës, por mbi të gjitha ndaj çështjes kombëtare, sepse kjo luftë me të gjithë dokumentet ndërkombëtare është njohur si luftë e drejtë dhe kudo luftërat për liri janë të drejta. Megjithatë, unë mendoj se krerët që një kohë e kanë kaluar atje do të dalin faqebardhë, do të dalin fitimtarë, lufta ka qenë e pastër dhe nuk ka çfarë të pastrohet në këtë luftë dhe të gjithë ndërkombëtarët duhet të merren me ata që kanë kryer krime në Kosovë”, ka potencuar ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, duhet të punohet me ndërkombëtarët që të argumentohet se gjykata është politike.

“Besoj që edhe institucionet tona me SHBA-të por edhe shtetet tjera që e kanë ndihmuar luftën dhe Kosovën që të vihet deri te liria duhet të punohet ngushtë dhe të argumentohet kjo sepse faktikisht është argumentuar mjaftueshëm që është gjykatë politike dhe këtë e ka pranuar edhe prokuroria serbe që bashkëpunon me të çdo ditë dhe mjerisht ka edhe njerëz “argatë të dreqit” që kanë shpikur dhe të paqena ndaj luftës së UÇK-së”.

Po ashtu, ai ka një thirrje për krerët e shtetit.

“Unë mendoj se diplomacia shqiptare, sidomos kjo në Kosovë, krerët e institucioneve tona duhet të punojnë më shumë që sa më shumë të argumentohet realiteti historik i kësaj lufte dhe gjithë asaj që ka ndodhur në këtë luftë të lavdishme, por të shfrytëzojnë ndikimin e tyre pozitiv që t’i jepet verdikti përfundimtar që personat që janë atje, krerët, bartësit, krijuesit e UÇK-së t’i kthehen vendit, t’i kthehen familjes e mbi të gjitha t’i kthehen atdheut dhe kombit sepse ka shumë nevojë për ta”, ka deklaruar Xhavit Jashari./Gazeta Blic/