Cult

Liria, Njeriu dhe Arti janë tri vlera që e ndriçojnë jetën, mbrëmë, ato ndriçuan Prishtinën

08/02/2025 17:01
nga:Besnik Tahiri

Shkruan: Besnik Tahiri

Liria

Festivali Sunny Hill nuk ishte vetëm një mbrëmje muzike, por një dëshmi e fuqishme për vlerën dhe çmimin e lirisë. Për brezat e rinj që lirinë e kuptojnë si një të drejtë të natyrshme dhe të mirëqenë, dua të them: rinia e Kosovës deri në qershor të vitit 1999 është rritur me ëndrrën për të qenë t’lirë. Sonte, kjo rini jo vetëm që e shijoi lirinë, por e jetoi atë denjësisht, si e barabartë me rininë evropiane, një realitet që dikur dukej i paimagjinueshëm për gjeneratën time.

Njeriu i vendit

Ikona e Prishtinës, Dukagjin (Dugi) Lipa, është shembull i gjallë i asaj çfarë do të thotë ta duash vendin tënd përmes punës, përkushtimit dhe vizionit. Të largohesh nga atdheu si refugjat, të jetosh në një 🇬🇧 ku liria e barazia janë themeli i shoqërisë dhe të kthehesh për të ndërtuar jo thjesht një festival, por një trashëgimi që po bën histori, kjo është dëshmi e rrallë dashurie për vendin. Ajo që Dugi po i lë Prishtinës dhe Kosovës do të jetojë shumë më gjatë se çdo natë festivali. Dugi dhe Sunny Hill është një rrëfim që do të kujtohet sa herë të flitet për vizion, guxim dhe përkushtim ndaj tokës së vet.

Arti

Në qendër të gjithë kësaj mbrëmjeje ishte Dua Lipa, mbretëresha jonë. Ajo nuk ishte thjesht një artiste në skenë, por përfaqësuese e jashtëzakonshme e asaj që jemi si popull dhe asaj që mund të bëhemi. Me energjinë, karakterin dhe artin e saj, ajo na bëri të ndjehemi krenarë, jo vetëm si publik, por si një komb. Ajo është një vlerë kombëtare që ndriçon Kosovën më shumë se çdo reflektor festiv.

Faleminderit Dugi & Faleminderit Dua 🙏

Dukagjin Lipa Dua Lipa Sunny Hill Festival
#SunnyHillFestival #dualipa