Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar qeverinë në detyrë për nxitje dhe për përkrahje të ZRRE-së për imponimin e tregut të lirë të energjisë, përkundër vendimeve gjyqësore dhe fakteve të dëmeve të pariparueshme të sektorit privat të biznesit, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ZRRE-së nuk i takojnë vendimet të treg të lirë të energjisë por respektimit të ligjeve.
Mustafa ka shtuar se shtet kemi aq sa kemi ekonomi, teksa ka pyetur se çka do të mbetet nga ky shtet nëse edhe këtë ekonomi ia shkatërrojmë?
Postimi i tij i plotë:
Sjellja e Qeverisë në detyrë dhe e ministrave në detyrë, pa kontroll parlamentar dhe pa pasur kujt ti japin përgjegjësi shihet më së miri tek nxitja dhe përkrahja e sjelljeve të ZRrE-së për imponimin e tregut të lirë të energjisë, përkundër vendimeve gjyqësore dhe fakteve të dëmeve të pariparueshme të sektorit privat të biznesit. Nuk i takojnë ZRrE-së vendimet për tregun e lirë të energjisë, siç shprehet ministrja e ekonomisë, por këto vendime i takojnë respektimit të ligjeve dhe vendimeve të gjykatave, të cilat mbrojnë të drejtat e bizneseve, të punëtorëve të punësuar në to, të investimeve në këtë sektor, të mundësive të kthimit të kredive, me këtë edhe mbrojtjes së sektorit bankar dhe të konkurrencës. Ky Ligj parasheh që të zbatohet kur krijohen rrethanat e një konkurrence në treg , në dobi të sektorit privat, jo në shkatërrim të sektorit privat. Duhet të ruhemi nga pasojat e mendësisë dhe veprimeve shkatërruese! Shtet kemi aq sa kemi ekonomi. Çfarë do të mbetet nga ky shtet nëse edhe këtë ekonomi ia shkatërrojmë?


