Lajme

Kamioni i peshave të rënda futet në tunelin te Kurrizi, e dëmton ventilimin

07/29/2025 22:23
nga:G B

Tuneli tek Kurrizi në Prishtinë, i promovuar me të madhe nga Përparim Rama, nuk po gjen qetësi.

Kësaj radhe, një kamion i peshave të rënda është futur në këtë tunel dhe ka dëmtuar sistemin e ventilimit. Një gjë të tillë e ka njoftuar vetë Komuna e Prishtinës.

“Sot, më 29 korrik 2025, rreth orës 18:30, një kamion i peshave të rënda, me lartësi mbi kufirin e lejuar, ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtegun e biçikletave dhe automjeteve në tunelin te Kurrizi, i cili ka kufizim për mjete deri në 3.2 metra lartësi.

Ky veprim ka shkaktuar: Shkelje të rregullave të trafikut rrugor, Rrezikim të sigurisë publike, veçanërisht për këmbësorët dhe çiklistët që e frekuentojnë këtë hapësirë, Dëmtim të pronës publike komunale, përfshirë pajisjet e ventilimit dhe sistemet përcjellëse të instaluara rishtazi gjatë këtij viti“, thuhet në njoftim.

Komuna thotë se tuneli është i hapur vetëm për qarkullim të kontrolluar të automjeteve dhe kamionëve deri në 3.2 metra lartësi.