Ambasada amerikane në Kosovë ka thënë se mos kontituimi i Kuvendit po rrezikon integritetin e institucioneve të Kosovës.
Kjo ambasadë ka kërkuar që liderët të gjejnë zgjidhje kushtetuese javën e ardhshme, kur dhe përfundon afati.
Lidhur me këtë, deputetja e Guxo, Jeta Statovci, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se SHBA-të kanë qenë aleatë të palëkundur ndaj Kosovës, teksa thotë se pajtohet me mesazhin e tyre se “udhëheqësit politikë nuk duhet të mbështeten te Gjykata Kushtetuese për ta rregulluar një bllokim politik që vetëm ata mund ta zgjidhin.”
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë gjithmonë një aleat i palëkundur i Kosovës, duke ndihmuar zhvillimin e saj demokratik, forcimin e institucioneve dhe ecjen përpara në procese konstruktive politike – edhe reagimi i fundit është në linjë me mbështetjen e vazhdueshme që Kosova merr nga SHBA-të. Vlen të theksohet pjesa ku thuhet se “udhëheqësit politikë nuk duhet të mbështeten te Gjykata Kushtetuese për ta rregulluar një bllokim politik që vetëm ata mund ta zgjidhin.” Kjo është një thirrje e qartë për përgjegjësi politike, me të cilën pajtohemi plotësisht. Ky mesazh duhet të na rikujtojë se kush e ka trajtuar Gjykatën Kushtetuese si një instrument politik – një praktikë e përsëritur nga ish-opozita, e cila për interesa të ngushta dhe për bllokim të vullnetit qytetar, ka përdorur këtë institucion si mjet destruktiv”, shprehet ajo.
Sipas Statovcit, populli si gjykata më e fuqishme ka folur qartë në zgjedhje dhe se ish opozita nuk po e pranon këtë rezultat.
“Në demokraci nuk ka gjykatë më të fuqishme se gjykimi i popullit, i cili ka folur shumë qartë zgjedhjet e fundit. Të tentohet që fituesit të zgjedhjeve me 48 deputetë, t’i imponohet çdo veprim/vendim politik, të merret pozicion refuzues për koalicion, votim, emër të kandidatit, të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese çdo çështje edhe e politikës ditore, thjeshtë është strategji politike bllokuese, dhe mos pranim i rezultatit të zgjedhjeve”, ka theksuar deputetja për Gazeta Blic.
Po ashtu, ajo vlerëson se ish partitë opozitare e dinë se janë të dobët në Kuvend dhe kanë zgjedhur strategji të tilla duke e trajtuar si humbës fituesin e zgjedhjeve.
“Ata, pra humbësit e zgjedhjeve, kanë mundur të na vënë në provë me afatin Kushtetues 15 ditor, dhe të presin radhën e tyre, por e dinë edhe fuqinë e dobët që kanë në Kuvend, edhe jetëgjatësinë e një qeverie me humbës të zgjedhjeve. Të vetëdijshëm për këtë, ata kanë zgjedhur këtë strategji, duke e trajtuar fituesin e zgjedhjeve si humbës, me arrogancë, mos-pranim, madje fyerje e bllokim total institucional”, ka potencuar deputetja e Guxo.
Ajo ka treguar dhe pse zgjodhën votimin e fshehtë.
“Propozimi ynë për votim të fshehtë nuk ishte asgjë tjetër veçse përpjekje për të krijuar hapësirë për votën e arsyes dhe për të mbrojtur vullnetin individual të deputetëve nga presionet e grupeve të interesit që kanë kapur lidershipin e opozitës”, ka thënë Statovci.
Krejt në fund, deputetja ka thënë se kanë votën pro, kandidaten e tyre por edhe janë të gatshëm për zgjedhje të reja.
“Ne mbesim të përkushtuar për bashkëpunim, kemi votën pro, kemi kandidaten tonë, por kemi edhe gatishmërinë për zgjedhje të reja. Një situatë e trajtimit të fituesit si humbës ka qenë edhe para vitit 2021, dhe dihen pastaj pasojat dhe historia politike, opozita duhet të reflektojë”, ka deklaruar Jeta Statovci./Gazeta Blic/
Moskonstituimi i Kuvendit, Ambasada e ShBA-së: Po rrezikon integritetin e institucioneve
Ambasada e Amerikës: Liderët e Kosovës të gjejnë zgjidhje kushtetuese në javët e ardhshme


