Lajme

SPAK ka një të penduar për çështjen Xoxa-Veliaj, Adela Kondakçiu bëhet bashkëpunëtorja e parë

07/24/2025 16:18
nga:Y I

Adela Kondakçi, financierja e Ajola Xoxës ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke u bërë kështu e para e penduar grua që bashkëpunon për të zbardhur korrupsionin e zyrtarëve të lartë.

E konsideruar si njeriu më i besuar i Xoxës, Kondakçiu është ndërkohë e pandehur në të njëjtën çështje me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliajn dhe bashkëshorten e tij.

Gazetarja e “Klan News” Glidona Daci, duke iu referuar burimeve nga SPAK raporton se Kondakçi ka treguar me detaje se si bëhej lëshimi i faturave fiktive dhe trasaksionet për të fshehur origjinën e parave.

Adela Kondakçi ka dorëzuar në Prokurorin e Posaçme çdo informacion ose të dhëna që ajo ka pasur në dispozicion për çiftin e bashkëshortëve Veliaj-Xoxa.

Kondakçi është marrë e pandehur nga SPAK, por nëse statusi i saj mbetet në fuqi nga gjykata në fund kur të shpallë vendimin, ajo mund të përfitojë ulje të dënimit. Në total që nga nisja e hetimit deri më tani, SPAK ka marrë rreth 100 dëshmi për çështjen për të cilën akuzohet kryebashkiaku i Tiranës, po ashtu janë sekuestruar kontrata, dokumente, pajisje kompjuterike dhe celulare për të provuar akuzat ndaj të dyshuarve.

Vetëm një ditë më parë, më 23 korrik, Prokuroria e Posaçme mori zyrtarisht të pandehur kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për katër akuza: korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje e sendeve te palejuara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. E pandehur u mor edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, të cilës iu komunikuan akuzat për korrupsion, pastrim të parave dhe mosdeklarim të pasurisë, në bashkëpunim me kryebashkiakun.

Të pandehur u morën edhe dy biznesmenët Mirton Lika, për fshehje të të ardhurave dhe Elman Abule për pastrim parash, i cili ndodhet në arrest shtëpie. Akuzë për futje të paligjshme të sendeve në qeli iu komunikua punonjësit të Policisë së Burgjeve, Fatjon Baci, i cili rezulton t’i ketë dhënë telefonin kryebashkiakut në mars të këtij viti për ta përdorur.

Mes të pandehurve janë edhe: financierja Adela Kondakçiu, Ina Goxhaj, Flutur Xhani, Valmir Xoxa, Erald Simixhiu (daja i Ajola Xoxës), Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula, Sokol Kryeziu, Frosina Bollo.

Për dosjen “Veliaj”, prokuroria ka kërkuar zgjatjen e afateve hetimore deri më 29 shtator.

/tvklan.al/