Lajme

Lekaj: Pa marrëveshje për shumicën, është e vështirë të kemi Kuvend dhe Qeveri këtë javë!

07/23/2025 17:11
nga:Y I

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është shprehur optimist se gjatë kësaj jave mund të konstituohet Kuvendi por edhe të formohet Qeveria.

“Du me qenë optimist se kjo javë mundet përfundimisht me kriju një situatë të re ku ne do të kemi Kuvend edhe Qeveri” tha ministri Peci raporton “Gazeta Blic”.

Por ndryshe nga ministri Peci po mendojnë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Zyrtari i këtij subjekti politik njëherësh ish-deputet i AAK-së, Pal Lekaj, tha se deklarime të tilla bëhen për të qetësuar bazën dhe mbajtur kontrollin mbi debatet.

Lekaj tha se ka më shumë gjasa të jetë narrativë se sa realitet.

Ai potencoi se pa marrëveshje për shumicën, është e vështirë të kemi Kuvend dhe Qeveri këtë javë.

“Ka më shumë gjasa të jetë narrativë sesa realitet. Pa marrëveshje për shumicën, është e vështirë të kemi Kuvend dhe Qeveri këtë javë. Këto deklarata duket se bëhen më shumë për të qetësuar bazën dhe për të mbajtur kontrollin mbi debatet, sesa si paralajmërim real për formim të menjëhershëm Kuvendit dhe të Qeverisë” tha Lekaj në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Sot ka dështuar për herë të 51-të të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Partia e cila ka dalë e para në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje, vazhdon të insistojë në kandidaturën e Albulena Haxhiut, kandidaturë e cila nuk po gjen përkrahje nga ish-partitë opozitare.

Sot seanca u shoqëria edhe me konfikt verbal ndërmjet deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, dhe kryesuesit të seancës, Avni Dehari, ç’ka solli ndërprerjen e punimeve.

Seanca e radhës pritet të mbahet pas 48-orësh raporton “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/