Lajme

15-vjetori i vendimit të GJND-së, Hamiti: Kurti do të duhej t’i bënte një të mirë shtetit, të heq dorë prej praktikave antikushtetuese

07/22/2025 15:14
nga:Genita C

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, në 15-vjetorin e vendimit të GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ia ka rikujtuar VV-së se nuk e kishte festuar për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Në këtë përvjetor ai e ka ftuar Albin Kurtin dhe partinë e tij që të reflektojnë në raport me shtetin e Kosovës.

Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se Kurti do të duhej t’i bënte një të mirë shtetit të Kosovës në këtë përvjetor.

Sipas tij, do të ishte mirë që Kurti të hiqte dorë prej praktikave anti-kushtetuese.

“Albin Kurti me VV-në e vet nuk e kanë pasë festuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Populli i Kosovës e pati festuar me gëzim të madh arritjen e vet historike. Miqtë tanë gjithandej botës ishin me ne atë ditë. Duhet të rikujtohet kjo sepse e shpjegon sjellen e tyre ndaj shtetit të Kosovës dhe institucioneve të tij. VV-ja e Kurti e kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës disa vite më vonë. (E kanë pasë sulmuar edhe para shpalljes së pavarësisë). Zyrtarë të saj të lartë ende sillen gjykakave të Kosovës për këto sulme të dhunshme ndaj organit më të lartë legjislativ të vendit tonë”, ka shkruar Hamiti.

Ndër të tjera, ai ka treguar për dëmet që po ia bën Kosovës Kurti dhe VV-ja.

“Albin Kurti me VV-në e vet tash e saj muaj, pothuaj për gjysmë viti, e kanë bllokuar Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë, bëhen se vazhdojnë të qeverisin. Mandat për të qeverisur nuk kanë marrë. Qeverinë po e drejton deputeti Albin Kurti. Ai më të vetët po sundojnë, duke e shkelur rëndë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Sot, në 15-vjetorin e mendimit këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëare të Drejtësisë (GJND) që e vërtetonte se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte legjitime dhe në pajtim me të drejtën ndërkombërare, Albin Kurti me VV-në do të duhej t’i bënin një të mirë shtetit tonë, më në fund: duke hequr dorë prej politikave dhe praktikave anti-demokratike dhe anti-kushtetuese”, ka shkruar Hamiti.