Shkruan: Ismet Kryeziu
Java e pazareve: Që s’ka të bëjë as me shtetin, as me ne – por vetëm me interesat e tyre.
Për më shumë se pesë muaj, përderisa nuk kishin pasoja personale, as nuk u skuqën për dëmin që i shkaktuan shtetit dhe qytetarëve. Por kjo javë ndoshta mund të sjellë një ndryshim!?
Me rrezikun për shpërndarjen e Kuvendit, pasojat mund të jenë të drejtpërdrejta – fillimisht për xhepat e tyre, dhe më pas ndoshta edhe për karrierën politike të disa prej tyre. Ose, edhe këtë javë, gjithçka mund të varet nga shefat e tyre– ata që nuk e ndjejnë as dëmin ndaj shtetit e qytetarëve, as nuk kanë shqetsim për xhepat, sepse i kanë goxha të thellë.
E gjithë kjo javë, që do të mbulohet me fraza si “në emër të shtetit dhe qytetarëve”, në të vërtetë do të jetë një javë vetëm për pazare të ngushta personale e grupore. Dhe nëse shkojmë në zgjedhje, vendimet prapë do të merren mbi të njëjtat baza: për veten dhe grupet, jo për qytetarët.
Sa zhgënjyese që shumica e atyre që quhen deputetë, nuk janë përfaqësues të qytetarëve – por thjesht numra në kalkulimet e shefave.


