Sporti

Njohësi kosovar i boksit, Artan Verbica, analizon super përballjen mes Usyk dhe Dubois

07/19/2025 20:36
nga:Mergim Rreci

Oleksandr Usyk dhe Daniel Dubois do të përballen sonte në botën e boksit.

Kjo super përballje do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në ‘Wembley’, transmeton GazetaBlic Sport.

Ky meç do të zhvillohet rreth orës 23:00, atje ku pritet të ketë shumë luftë dhe spektakël, sepse fituesi merr epitetin e kampionit të padiskutueshëm të peshave të rënda.

Njohësi i madh kosovar i boksit, Artan Verbica, në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport‘, tha se ky meç do të jetë ndryshe nga ai parapraku që ishte zhvilluar mes dy boksierëve.

Verbica nënvizoi se Dubois ka ndryshuar dhe nuk është më ai i cili nuk kishte përgatitjen e duhur dhe përvojën, këtë e ka dëshmuar me tri fitoret e fundit.

“Dueli i dytë apo i rimeçi mes Oleksader Usyk dhe Daniel Dubois do jetë ndryshe. Kësaj radhe Dubois vjen me një qëllim t’i revanshohet për humbjen e dy viteve më parë kur Usyk e mposhti me nokaut në raund të nëntë. Atë botë, Dubois humbi për shkak se nuk e kishte përvojën e duhur dhe ishte i papërgatitur, ndërsa kësaj radhe ai vjen me nje pjekuri më të madhe. Ai pas humbjes nga Usyk vjen me tre fitore të mëdha, ndaj Jarrel Miller, Filip Hrgovic dhe Anthony Joshua, tre boksierë me vlerë të madhe“, tha fillimisht Verbica.

Tutje, ai shtoi se Usyk është kampion i dëshmuar dhe nëse e dërgon meçin deri në raundet e fundit, do ta fitojë atë. Megjithatë, ai shtoi se Dubois mund ta shfrytëzojë forcën dhe të fitojë me nokaut.

“Ndërsa për Usyk s’kemi çka të themi, kampion i dëshmuar, arkitekt i boksit. Epilogu i këtij meçi do të jetë kështu, mendoj se nëse Dubois shfrytëzon forcën dhe fuqinë naturale, atëherë do të fitojë me ndërprerje. Por, nëse Usyk e shtyen meçin në raundet e fundit, atëherë Usyk fiton me vendim unanim. Gjasat 50-50 por një epërsi i jap Usyk-ut“, përfundoi Verbica.

/GazetaBlic Sport/