Një e mbijetuar e dhunës seksuale nga lufta e fundit po ndan sonte rrëfimin e saj ekskluzivisht në “Debat Plus” me Ermal Pandurin.
Mes lotësh e me zë të dridhur, e mbijetuara tregon fillimisht për fëmijërinë e saj.
“Derisa i kam bërë 13 vjet, kam qenë sikur të gjithë fëmijët, kemi qenë të lumtur, ndoshta shumë nuk kemi pasur, por me atë që e kemi pasur kemi qenë shumë të kënaqur, kemi ditë me u kënaqë, si me shokë si me shoqe, kemi qenë një rrethinë shumë e lumtur”, tregon ajo, duke rrëfyer se me gjithë shoqërinë ishte shumë e lidhur me vëllanë e saj më të madh, ndërkaq në shkollë ishte fëmijë gazmor, e i pëlqente matematika dhe muzika.
Por, gjithçka ndryshoi me nisjen e luftës. Në moshën 13-vjeçare, jeta e saj mori një kthesë të errët. Ajo rrëfen fillimisht që babai i saj u kthye nga mërgimi porse familja në luftë u nda.
“Po u ndamë si familje se burrat s’guxojshin me ndejtë nëpër shpija”, tregon ajo.
“Kena pasë frikë, qajtje, tmerr ka qenë”, kujton momentet e para të luftës.
E mbijetuara e dhunës seksuale rrëfen për maltretimet që pasi u ndanë me burrat e familjes, i përjetonin gratë e fëmijët.
“Po, po kanë fol serbisht, e krejt vinin me shenja nëpër fytyrë e vinin të ngjyrosur, gjyshen e nënën e neve krejt si fëmijë na kanë rreh, na ngrehnin zhag, maltretime, nuk di qysh njeri në jetë… Më dhimbset nëna shumë e gjyshja ime e ndjera se i kanë maltretu shumë”, rrëfen ajo për tmerrin e përjetuar.
“Veç Zoti po t’i linte mendtë në kry”, përfundon ajo.


