Lajme

Osmani e quajti “jorelevant” Hotin – i reagon Hykmete Bajrami publikon foton e tij me Trumpin

07/17/2025 21:09
nga:Sh R

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti janë përfshirë në një përplasje të ashpër verbale, e cila ka nxitur reagime edhe brenda partisë së Hotit, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

E gjitha nisi kur Presidentja Osmani e cilësoi Hotin si “njeriun më jorelevant”, duke komentuar kritikat e tij ndaj qeverisë dhe duke theksuar se pretendimet për moszbatim të marrëveshjeve nga ana e Kosovës vijnë vetëm nga Serbia.

Reagimi i saj ngjalli kundërpërgjigje të menjëhershme nga vet Hoti, i cili e akuzoi Osmanin se po e përfundon mandatin pa asnjë kontribut konkret për shtetin.

Ai e quajti periudhën e saj presidenciale si “pesë vite demagogji dhe mashtrime”.

“Pesë vite në shërbim të agjendës shtetrrënuese të bashkë-mashtruesit. Kjo e ka hallin se do të mbetet në histori si mashtruesja më e madhe e elektoratit djathtist të LDK-së,” shkroi Hoti.

Polemika u pasua edhe me një reagim nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila në mbrojtje të kolegut të saj shkroi “Irelevant? I don’t think so”, duke publikuar një fotografi të Hotit me ish-presidentin amerikan Donald Trump gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë.

Hoti gjithashtu e kritikoi heshtjen e Presidentes ndaj, siç tha ai, “uzurpimit të institucioneve” nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj, përfshirë edhe partinë Guxo, të cilën e kishte themeluar vetë Osmani.

Mandati i Vjosa Osmanit si presidente pritet të përfundojë në vitin e ardhshëm.