Lajme

Koci: 48 herë rresht, dështim për ta formuar Kuvendin, ky është sabotim i qëllimshëm!

07/17/2025 10:07
nga:Y I

Avokati, Arianit Koci, ka reaguar në lidhje me ngërçin institucional në vend.

Koci tha se ‘në asnjë shtet demokratik në boté, në Lindjen e Mesme, nuk ekziston rast që Kuvendi të mos konstituohet edhe pas 48 tentativave’.

Ai tha se ky nuk është bllokim është sabotim i qëllimshëm.

Koci njoftoi se të hënen e vazhdon protestën para Kuvendit.

Reagimi i plotë:

48 herë rresht – dështim për ta formuar Kuvendin.

Në asnjë shtet demokratik në boté, në Lindjen e Mesme, nuk ekziston rast që Kuvendi të mos konstituohet edhe pas 48 tentativave.

Iraku, me përçarje sektare ekstreme – Kuvendi u zvarrit, por u konstituua pas 9 tentativash, në vitin 2022.

Libani, me bllokadë totale institucionale – ka dështuar mbi 20 herë për të zgjedhur president, por Kuvendi ka funksionuar gjithmonë.

Izraeli, me pesë zgjedhje për 3 vite – Kuvendi (Knesset) konstituohet menjëherë pas certifikimit të rezultateve.

Belgjika, me rekordin botëror për mungesë të qeverisë (589 ditë), por Kuvendi ka funksionuar pa ndërprerje.

Dështimet që ndodhin zakonisht janë për zgjedhjen e qeverisë, presidentit ose kryeministrit – jo për konstituimin e vetë Kuvendit.

Ky nuk është më bllokim – është sabotim i qëllimshëm. Shkatërrim me vetëdije i institucionit më të lartë që përfaqëson popullin.

Shkatërrim i shtetit, për interesa personale dhe partiake.

Fatkeqësisht, me mosveprim, me mosreagim, bashkëfajtor, tani pas 48 herëve, jemi edhe ne, populli.

Prandaj, une të hënën në ora 11:00, e vazhdoj protestën para Kuvendit.