Sporti

Ramadani për Copenhagen: Nëse duam të bëhemi lajm kryesor në Evropë, duhet të eliminojmë kundërshtarë të këtij rangu

07/16/2025 11:02
nga:Lorik J

Skuadra e Dritës ka fituar dje ndaj Differdange me rezultatin 2-3 dhe tashmë është bërë skuadra e parë kosovare që kalon raundin e parë kualifikues të Champions League.

Trajneri i Dritës, Zekrija Ramadani u shpreh tejet i lumtur për triumfin e skuadrës së tij, si në Prishtinë (1:0) ashtu edhe në Luksemburg (2:3), shkruan GazetaBlic Sport.

“Kam besuar në punën që kemi bërë dhe në cilësinë e ekipit, dhe ja që u kualifikuam në raundin e dytë. Por në këtë kanë besuar të gjithë në skuadrën tonë, dhe së bashku arritëm të kalojmë raundin e parë. Ishte një obligim profesional dhe kolektiv ta kalonim këtë sfidë – dhe ia dolëm ta përmbushim qëllimin tonë”, tha fillimisht Zekrija Ramadani për faqen zyrtare të klubit.

Ramadani foli edhe për kundërshtarin e radhës, që është Copenhagen, gjiganti nga Danimarka.

“Tani, natyrisht, kemi përballë një kundërshtar ndryshe. Por më parë duhet të bëjmë analizën dhe pastaj, si staf, të japim më të mirën për të përgatitur një analizë të mirëfilltë, e cila pastaj do t’u përcillet futbollistëve. Ata e dinë dhe e kanë aftësinë të japin maksimumin në fushë. Me flamur të bardhë nuk do të dalim! Nëse duam të bëhemi lajm kryesor në Evropë, duhet të eliminojmë kundërshtarë të këtij rangu”, përfundoi Ramadani.

/GazetaBlic Sport