Opinion

Canaj: Vendimi i Supremes konfirmoi qartë se Albin Kurti dhe Vetëvendosje kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës

07/15/2025 20:33
nga:Blerim Canaj

Vendimi i Gjykatës Supreme konfirmoi qartë: Albin Kurti dhe Vetëvendosje kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës duke vendosur që me çdo kusht ta mbajë pushtetin pa dhënë llogari askund! Kjo më nuk është vetëm papërgjegjësi politike, ky është një puq institucional i mirëfilltë!

Ky vendimi i Gjykatës Supreme nuk duhet të shihet vetëm si një akt juridik. Në fakt është akuza më e rëndë që mund t’i bëhet një qeverie: ai po tregon që „qeverisja“ aktuale qëndron aty përmes shkeljes së ligjit dhe Kushtetutës, andaj „qeveria“ aktuale nuk ka më legjitimitet moral e as institucional sepse u bë e qartë që kemi të bëjmë me një uzurpim të institucioneve të shtetit, uzurpim i maskuar si demokraci.

Kapja e institucioneve, injorimi i vendimeve të gjykatave dhe instrumentalizimi i pushtetit janë shenjat klasike të një regjimi autokrat që ka rrezik dhe tendencë – sikur të mundej – të rrëshqasë në diktatur.

E kjo „qeveri“ nuk po udhëheq, po e mbron veten, po mbulon keqpërdorimet dhe hajnitë dhe po i zhbën themelet e shtetit ligjor. Demokracia nuk shkatërrohet vetëm me dhunë, ajo shkatërrohet kur qeveria vendos veten mbi ligjin dhe kushtetutën. E Kosova si kurrë më parë ka nevojë për një rivendosje të rendit kushtetues, llogaridhënie dhe kthim të besimit te shteti.