Sporti

Albert Bunjaku optimist për Dritën, shpreson tek Malisheva, kurse i zhgënjyer me Prishtinën

07/11/2025 12:54
nga:Mergim Rreci

Skuadrat kosovare kanë përfunduar ndeshjet e para në garat evropiane.

Drita triumfoi me rezultat 1 me 0 ndaj Differdange, në kuadër të ndeshjes së parë kualifikuese në Ligën e Kampionëve, shkruan GazetaBlic Sport.

Dy skuadrat e tjera, Prishtina dhe Malisheva pësuan humbje, kryeqytetasit u mposhtën thellë nga Sheriff Tiraspol në ndeshjen e Europa League, kurse Malisheva humbi minimalisht nga Vikingur 0 me 1, ndeshje kjo kualifikuese për Conference League.

Ish trajneri i Kosovës, Albert Bunjaku, tha për ‘GazetaBlic Sport‘, se Drita shihet si një skuadër favorite për të kaluar tutje, kurse nuk sheh aspak gjasa tek Prishtina, e cila luan ndeshjen kthyese të enjten.

“Ekipet kosovare tani kanë përvojë të mjaftueshme për ndeshje ndërkombëtare dhe sigurisht si kampionë të ligës dhe me formatin e Conference League, gjithmonë ka një mundësi të re për të vazhduar garat. Ky format shihet si shumë i përshtatshëm për shumë klube për përfitime financiare. Unë besoj se Drita do të kalojë tutje pasi klubi ka një traditë të organizimit profesional për garat evropiane. Jam pak i befasuar me Prishtinën që pothuajse e ka të pamundur kalimin tutje. Malisheva, pavarësisht humbjes mendoj se mund të sigurojë një rezultat pozitiv në ndeshjen kthyese,  kurse në fund do të jetë shumë interesante të shohim se ku qëndron Ballkani pas të gjitha ndryshimeve të fundit”, tha fillimisht ai.

Bunjaku, tutje, tha se ideja e tij është që formati dhe koha zhvillimit të garave duhet të ndryshojë. Sipas tij, garat në Superligë, duhet të zhvillohen nga muaji shkurt deri në dhjetor, në mënyrë që në garat evropiane, skuadrat kosovare të jenë të përgatitura fizikisht.

“Po, sigurisht që ka shumë faktorë, që nga cilësia e ligës, përvoja në klube për ndeshje ndërkombëtare, dhe këtu mendoj më shumë për përparësinë financiare në mënyrë që ekipi të ketë kushtet më të mira për performancë ndërkombëtare, fatin në short sigurisht, etj.
Gjithmonë kam qenë mbështetës i ndryshimit të orarit të garave dhe jo formës që kemi tani, domethënë, garat fillojnë në shkurt dhe mbarojnë në dhjetor. Në këtë formë, garat evropiane do të ishin në mes të sezonit tek ne, ku klubet tona do të ishin në formë optimale“, vazhdoi tutje ai.

Krej në fund, Bunjaku tha se si penalizim e sheh faktin që tri skuadrat kosovare, Drita, Ballkani dhe Malisheva, ndeshjet e tyre si vendase, duhet t’i zhvillojnë në Prishtinë.

“Një faktor që duhet cekur është se skuadrat si Drita, Ballkani, Malisheva po penalizohen, sepse nuk po munden që ndeshjet e tyre t’i zhvillojnë në stadiumet e tyre, por në Prishtinë”, përfundoi Bunjaku.

/GazetaBlic Sport/