Lajme

Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Komuna e Lipjanit nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunim

07/09/2025 17:38
nga:Genita C

Sot, në Lipjan, është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Lidhjes së Bizneseve të Kosovës dhe Komunës së Lipjanit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional dhe ndërtimit të një marrëdhënieje formale mes dy palëve.

Memorandumi u nënshkrua nga Kryetari i LBK-së, z. Besart Dreshaj, dhe Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti. Në këtë takim, LBK u përfaqësua nga z. Besart Dreshaj – kryetar, z. Hashim Deshishku – nënkryetar dhe z. Mustaf Krasniqi – anëtar i kryesisë.

Përmes kësaj marrëveshjeje, palët janë zotuar të bashkëpunojnë në promovimin e prodhimeve vendore, mbështetjen e sektorit privat, nxitjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e projekteve me karakter ekonomik – në të mirë të qytetarëve dhe bizneseve të Komunës së Lipjanit.

Në kuadër të këtij memorandumi, Komuna e Lipjanit do të ofrojë mbështetje për të gjitha iniciativat që ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe në fuqizimin e sektorit privat. Kjo është një tjetër dëshmi e përkushtimit institucional për krijimin e kushteve sa më të favorshme për zhvillim ekonomik dhe për thellimin e bashkëpunimit me përfaqësuesit e biznesit.

Objektivat kryesore të këtij bashkëpunimi përfshijnë:
• Promovimin e prodhimeve dhe shërbimeve vendore;
• Lehtësimin e procedurave administrative për bizneset dhe përmirësimin e klimës investuese;
• Avokimin e përbashkët për nisma ligjore që adresojnë sfidat e sektorit privat;
• Rritjen e transparencës në proceset vendimmarrëse komunale;
• Hartimin e përbashkët të politikave për zhvillim ekonomik dhe tërheqje investimesh;
• Përfshirjen aktive të bizneseve në shqyrtimin e sfidave administrative dhe ligjore.

Kryetari Ahmeti dhe kryetari Dreshaj theksuan rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi të qëndrueshëm, duke shprehur përkushtimin për të bashkërenduar aktivitetet në funksion të zhvillimit ekonomik të komunës dhe përkrahjes së komunitetit të biznesit.

Ky memorandum shënon një fillim të ri në ndërtimin e partneriteteve strategjike mes institucioneve publike dhe sektorit privat, në të mirë të qytetarëve të Lipjanit dhe të gjithë ekonomisë vendore.