Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, duke kërkuar hetim të plotë e të shpejtë nga Prokuroria dhe Inspektorati Policor, raporton GazetaBlic.
Ajo theksoi se rasti duhet të ndriçohet në çdo detaj dhe kërkoi që përgjegjësia të mos mbetet vetëm individuale, por të shkojë deri te kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Bajrami tha se mbështet kërkesat e ligjshme të Policisë, por kërkoi gjithashtu llogari dhe zbatim të ligjit.
Postimi i plotë:
Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zejnullahu dhe për gjithë qytetarët e Kosovës për vdekjen e Agonit!
Prokuroria dhe Inspektorati Policor duhet ta hetojnë plotësisht këtë rast, të ndriçojnë të gjitha rrethanat dhe pistat e mundshme, dhe të ndriqoj deri në detaje rastin e vdekjes së 27-vjeçarit.
Është thelbësore që hetimi të zhvillohet pa asnjë vonesë.
Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor, duhet të garantojnë zbatimin e standardeve profesionale dhe respektimin e ligjit në çdo rast të ndalimit apo trajtimit të qytetarëve.
Përveç përgjegjësisë individuale, duhet të ketë edhe përgjegjësi politike, deri te deputeti Kurti, i cili vazhdon të mbajë pozitën e kryeministrit në kundërshtim me ligjin.
Ne kemi përkrahur dhe do të përkrahim kërkesat e ligjshme të Policisë së Kosovës për kushte më të mira pune dhe mbështetje institucionale, por njëkohësisht do të kërkojmë llogari dhe zbatim të ligjit!


