Lajme

Zjarret në fshatrat e Istogut/ Kryetari Ferati njofton se situata është nën kontroll: Bashkë ja dolëm

07/08/2025 13:20
nga:G B

Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, ka njoftuar se situata me zjarret që shpërtheu dje në disa fshatra të kësaj komune tashmë është nën kontroll, raporton Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se zjarret janë lokalizuar dhe neutralizuar, falë një bashkëpunimi të ngushtë mes të gjitha institucioneve dhe qytetarëve tanë.

Ferati ka bërë apel për kujdes të shtuar, teksa ka thënë se Komisioni Komunal për mbrojtje nga zjarret do të dalë në terren për të vlerësuar gjendjen.

“Apelojmë që edhe në ditët në vijim të tregojmë kujdes të shtuar, të mos ndizet zjarri në fusha apo hapësira të hapura dhe çdo rast i dyshimtë të raportohet menjëherë. Për këtë qëllim, Komisioni Komunal për mbrojtje nga zjarret do të dalë në terren për të vlerësuar gjendjen, për të identifikuar zonat më të rrezikuara dhe për të marrë masa shtesë mbrojtëse”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Postimi i tij i plotë:

Situata tashmë është nën kontroll!

Bashkë ja dolëm!

Zjarret që përfshinë dje disa fshatra të komunës sonë janë lokalizuar dhe neutralizuar, falë një bashkëpunimi të ngushtë mes të gjitha institucioneve dhe qytetarëve tanë.

Në terren ishim bashkë të angazhuar me ekipet emergjente të zjarrfikësve, Policinë e Kosovës, KFOR-in, KRM “Ambienti”, Hidrodrinin, bizneset private si dhe shumë qytetarë vullnetarë që ndihmuan me mjete rrethanore dhe me angazhimin e tyre maksimal.

Ky mobilizim i përbashkët dëshmon edhe një herë fuqinë e solidaritetit dhe përgjegjësisë që kemi për të mbrojtur mjedisin, pronat dhe jetën e secilit qytetar.

Falënderim për të gjithë ata që u angazhuan pa kursyer mundin dhe kohën!

Apelojmë që edhe në ditët në vijim të tregojmë kujdes të shtuar, të mos ndizet zjarri në fusha apo hapësira të hapura dhe çdo rast i dyshimtë të raportohet menjëherë.

Për këtë qëllim, Komisioni Komunal për mbrojtje nga zjarret do të dalë në terren për të vlerësuar gjendjen, për të identifikuar zonat më të rrezikuara dhe për të marrë masa shtesë mbrojtëse.

I juaji,

Iliri