Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu ka thënë se thelbi i bllokadës është çështja se a duhet të zgjidhet Albin Kurti kryeministër për katër vitet e ardhshme.
“Në thelb, kriza që ndan sot spektrin politik në Kosovë është kjo: A do të jetë Albin Kurti kryeministër edhe për katër vitet e ardhshme? Për opozitën, përgjigjja është e qartë: Jo e Për Vetëvendosjen, Po.” – ka shkruar ai.
Shkrimi i plotë:
Bllokada institucionale që po zhvillohet aktualisht në Kosovë nuk ka të bëjë as me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, as me votimin e fshehtë. Këto janë vetëm shenja të jashtme të një krize politike shumë më të thellë, e cila po përshkallëzohet përditë. Gjithçka që po ndodh sot, është pjesë e strategjive për të zvarritur kohën dhe për të shmangur të përballen me krizën reale thelbësore
Në thelb, kriza që ndan sot spektrin politik në Kosovë është kjo: A do të jetë Albin Kurti kryeministër edhe për katër vitet e ardhshme? Për opozitën, përgjigjja është e qartë: Jo e Për Vetëvendosjen, Po.
Prandaj, kriza reale politike nuk është vetëm çështje procedurash, por përballje me një dilemë politike që kërkon një kompromis të pashmangshëm. Dhe pyetja është: A do të ndodhë ky kompromis tani, për të parandaluar thellimin e krizës, apo më vonë, kur çdo zgjidhje do të vijë si pasojë e dëmit të kryer?


