Deputeti i PDK-së, Perparim Gruda, ka reaguar ndaj kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, duke theksuar se ky i fundit pranoi një të vërtetë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, që në seancën konstituive nuk lejohen mocione procedurale, raporton GazetaBlic.
Gruda shtoi se, megjithatë, Dehari nuk kishte guxim ta lexonte aktgjykimin deri në fund, duke injoruar paragrafin 187 që thekson se konstituimi i Kuvendit duhet të udhëhiqet në përputhje me praktikat e deritanishme, ku votimi i hapur ka qenë gjithmonë rregull.
Sipas Grudës, propozimi për Komisionin e votimit të fshehtë është një shkelje e drejtpërdrejtë e aktgjykimit kushtetues.
Postimi i plotë:
Kryesuesi i seancës konstituive, z. Avni Dehari, më në fund pranoi një të vërtetë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese: në seancën konstituive nuk lejohen mocione procedurale.
Por, për fat të keq, nuk pati guximin ta lexojë aktgjykimin deri në fund.
Paragrafi 187 i aktgjykimit thotë qartë:
“(…)zhvillimi dhe përfundimi i Seancës Konstituive duhet të udhëhiqet në pajtim me përcaktimet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, Kreun IV (Konstituimi i Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Cila ka qenë ajo praktikë e deritanishme parlamentare? Votimi i hapur. Gjithmonë.
Prandaj, Avni Dehari nuk ka të drejtë të hedhë në votim propozimin për Komision për votim të fshehtë, sepse kjo shkel drejtpërdrejt këtë paragraf të aktgjykimit kushtetues.


