Xhevdet Smakiqi, avokat ka folur rreth “vizitave” që ministra e ambasadorë të VV’së po bëjnë në Prokurorinë Speciale.
Përmes një përgjigje për GazetaBlic, Smakiqi ka ngritur shqetësime serioze për nivelin e korrupsionit në Qeverinë Kurti, duke iu referuar raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit për vitet 2023 dhe 2024.
“E konsideroj se niveli i korrupsionit masiv qeveritar, i paralajmëruar në Raportin e DASH-it për vitet 2023 dhe 2024 për Qeverinë Kurti, tashmë ka arritur nivele shqetësuese, veçanërisht në lidhje me dyshimet për kolapsimin e inskenuar të KEK-ut nga zyrtarë politikë vendimmarrës, ambasadorë e ministra, nën ndikimin e mafias energjetike në Ballkan, me qendër në Beograd”, ka deklaruar Smakiqi.
Sipas tij, situata ka marrë përmasa të tilla që kërkojnë hetim të pavarur dhe ndërkombëtar.
“Vlerësoj se KPK-ja dhe PSRK-ja, për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit nga zyrtarë të lartë me fuqi të madhe politike në ekipin e ngushtë të Albin Kurtit, duhet të kërkojnë ndihmë ndërkombëtare nga FBI-ja ose nga ndonjë organizatë e specializuar”, shtoi ai.
Avokati Smakiqi theksoi se aferat e dyshimta me shitblerjen e energjisë dhe rritja e tarifave nga ZRRE, nuk janë çështje të izoluara.
“Pasi që vlerësoj se niveli i përfshirjes në shitblerjet e dyshimta të energjisë elektrike nga Kosova, si dhe trysnia nga ZRRE-ja për të rritur sistematikisht tarifat e energjisë, është kompleks, konsideroj se PSRK-së i duhet ndihmë ndërkombëtare. Kjo për faktin se në këtë formë të krimit të organizuar ‘të jakës së bardhë’ ka të dyshuar edhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës – persona të përfshirë në zinxhirin e mafias energjetike ballkanike”, ka shkruar Smakiqi.
Në fund, ai kërkon hetim të thelluar dhe ndëshkim të të gjithë përgjegjësve, përfshirë edhe zyrtarët e lartë.
“Prandaj, edhe dyshimet për veprat penale si keqpërdorimi i autoritetit zyrtar sipas nenit 414 të KPRK-së, ushtrimi i ndikimit, keqpërdorimet në prokurim dhe lidhja e kontratave të dëmshme, kërkojnë hetues të specializuar. Qëllimi është përfundimi i hetimeve dhe ngritja e aktakuzave të suksesshme, të cilat duhet të shoqërohen me arrestimin e personave të dyshuar për shkak të dëmeve të mëdha të shkaktuara buxhetit të Republikës së Kosovës dhe drejtpërdrejt qytetarëve e bizneseve të vendit”, ka përfunduar ai për GazetaBlic.


