Lajme

Maliqi për takimin Abdixhiku-Limaj: Më shumë për marketing se sa për zgjidhje të problemit!

06/19/2025 14:10
nga:Y I

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kanë zhvilluar gjatë ditës së djeshme një takim së bashku.

Për takimin raportoi dje eksluzivisht “Gazeta Blic”.

E gjatë ditës së sotme të dy protagonistët, Abdixhiku dhe Limaj, konfirmuan takimin duke e cilësuar si miqësor dhe jashtëzakonisht të mirë.

Në lidhje me këtë takim ka folur për “Gazeta Blic” njohësja e zhvillimeve politike, Afërdita Maliqi.

Ajo tha se duke patur parasysh fuqinë politike të Abdixhikut e Limajt takimi mes tyre s’pritet të sjellë diçka konkrete.

“Duke pas parasysh fuqinë politike të Abdixhikut e Limaj, takimi mes tyre nuk besoj që mund të sjellë diçka konkrete. Limaj ka qenë i hapur të bisedojë me Abdixhikun për planin e tij 15 pikësh, por ata mund të takohen e ritakohen, por cili është rezultati??Ne jemi në një situatë, kur forca e parë politike Vetëvendosje, po vazhdon bllokadën në Kuvend t’u qenë përgjegjëse për shkak të fuqisë politike ” tha Maliqi.

Maliqi tha se partitë që vijnë nga ish-opozita, pas zgjedhjeve është dashur të dalin me një opsion të përbashkët qeverisës, por se këtë sipas saj e ka prishur Abdixhiku.

Ajo tha se një takim të tillë e sheh më shumë për marketing se sa për zgjidhje të problemit.

“Partitë që vijnë nga ish-opozita është dashur menjëherë pas zgjedhjeve me dalë me një opcion të përbashkët qeverisës, por këtë ide, që e kanë pritur të gjithë qytetarët që i kanë votuar, e ka prish Abdixhiku me pozicionimin e tij se don të rrijë në opozitë.Atëherë, çka mund të prodhojë një ide e tillë për një qeveri tranzicioni, pasuar edhe me takimin me Limajn, kur dihet se kjo nuk pranohet as nga Vetëvendosja.Si përfundim, një takim të tillë e shoh më shumë për marketing, se sa për zgjidhje të problemit” tha Maliqi në pergjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.