Ish-diplomati Avni Arifi ka komentuar deklaratën e Presidentit Trump për t’u kthyer në çështjen e dialogut Kosovës-Serbi, duke theksuar se vetëm SHBA mund të sigurojë sukses në Ballkan.
Ai theksoi se, që nga shpërbërja e Jugosllavisë, çdo përpjekje pa SHBA ka dështuar. Arifi vlerësoi se periudha 2017-2019 ishte një mundësi për një rol të madh amerikan, por që kishte sjellë tensione me BE-në.
“Në Ballkan, që nga shpërbërja e Jugosllavisë, kurrë nuk ka ndodhur asgjë e mirë nëse procesit nuk i ka prirë SHBA. Kjo ka qenë edhe kërkesë e Qeverisë së Kosovës në periudhën 2017-2019, që solli shumë konfrontime të Kosovës me BE”, tha Arifi.
Ai kritikoi Qeverinë e Kurtit, duke thënë se rikthimi i dialogut te Borrell dhe Lajçak, i udhëhequr në masë të madhe nga dëshira e Kurtit, ka bllokuar progresin dhe ka sjellë një “vdekje klinike” të procesit.
“Që nga viti 2019, me ardhjen e Kurtit, procesi u rikthye te Borrell dhe Lajçak, në masë të madhe edhe me dëshirën e Kurtit, dhe tani krejt procesi është në vdekje klinike. Rikthimi i lidershipit Amerikan në proces është garanci për sukses, por duhet të kemi parasysh se Kosova, me Kurtin, e ka dobësuar në themel pozitën negociuese të Kosovës. Do të ketë kërkesa dhe vendime tepër të dhimbshme”, tha Arifi për GazetaBlic.


