Lajme

Eksperti amerikan: Progresi i Kosovës është bllokuar nga individë që veprojnë për interesa personale

06/12/2025 19:23
nga:Genita C

Eksperti amerikan për Ballkanin, David Phillips, ka komentuar situatën politike në Kosovë, duke e cilësuar si shqetësuese dhe të dëmshme për të ardhmen e vendit.

Ai ka reaguar ndaj bllokadës institucionale dhe mos-konstituimit të Kuvendit, që po vazhdon të mbajë pezull zhvillimet demokratike dhe institucionale në vend.

“Në Kosovë po shohim një situatë tejet të pafavorshme. Progresi i vendit është bllokuar nga individë që veprojnë për interesa personale,” ka deklaruar Phillips për GazetaBlic.

Ndryshe, Deputetët vazhdojnë të dështojnë ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja.

Sikur edhe në vazhdimet e kaluara të seancës konstituive – e cila nisi më 15 prill – deputetët u mblodhën shkurtimisht të mërkurën dhe nuk gjetën zgjidhje për zhbllokimin e ngërçit.

Kjo ishte hera e 30-të që ata mblidhen dhe dështojnë, dhe do të mblidhen përsëri pas 48 orëve, pra të premten e 13 qershorit.

Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

/GazetaBlic/