Në Ditën e Lirisë, deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka kujtuar sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës për liri, duke theksuar se kjo ditë është homazh për të gjithë ata që luftuan, ranë, dhe vazhdojnë ta mbajnë barrën e lirisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxhaj bëri të ditur se gjatë ditës së djeshme ka vizituar në Hagë dy prej figurave kyçe të luftës për çlirim, ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale.
“Dita e sotme – Dita e Lirisë – është kujtim për ata që luftuan, për ata që ranë, dhe për ata që vazhdojnë të mbajnë barrën e lirisë edhe sot. Dje i vizitova në Hagë dy prej burrave që i dhanë kaq shumë Kosovës, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Kosova është e lirë, sepse ata, luftëtarët e UÇK-së dhe populli i Kosovës guxuan të përballen me errësirën që ta sjellin dritën,” ka shkruar Hoxhaj.
Dita e Lirisë në Kosovë përkujtohet çdo vit më 12 qershor, në nder të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999 dhe përfundimit të luftës.


