Xhafer Gashi, kryetar aktual i Komunës së Obiliqit, do të jetë sërish në garë për të parin e kësaj komune, nga radhët e LDK-së.
Këtë e ka konfirmuar ai për Gazeta Blic.
“Lidhur me kandidaturën time për një mandat të ardhshëm si kryetar i Komunës së Obiliqit, mund të konfirmoj se Kryesia e Degës së LDK-së në Obiliq, në mbledhjen e mbajtur më 13 maj 2025, ka marrë një vendim unanim për nominimin tim si kandidat për kryetar të komunës. Ky vendim është përcjellë edhe në qendër për aprovim final”, tha ai.
Gashi për kandidimin e katërt me radhë shprehet mirënjohës ndaj qytetarëve për besimin e treguar ndër vite.
Ai tha se për ta flasin veprat e jo fjalët.
“Sloganet tona “Ne flasim me Punë”, “Bashkë hartojmë, bashkë mbikëqyrim dhe bashkë i gëzojmë” janë parimi dhe shërbimi ndaj qytetarit të Obiliqit. Ky do të jetë kandidimi im i katërt radhazi për këtë pozitë, dhe për këtë u jam thellësisht mirënjohës qytetarëve për besimin e treguar në tre mandatet e kaluara. Për ne flasin veprat, jo fjalët. Ne kemi qeverisur me përgjegjësi dhe përkushtim të plotë ndaj qytetarëve”, u shpreh i pari i Obiliqit.
Ai shtoi se qeverisja e tij është ndërtuar mbi parmin e duarve të pastra.
“Të arriturat tona janë të matshme dhe të prekshme. Qeverisja jonë lokale është ndërtuar mbi parimin e duarve të pastra dhe shërbimit të qytetarit. Qytetarët e Obiliqit kanë qenë gjithmonë pjesë e përzgjedhjes së projekteve, mbikëqyrës së projekteve dhe bashkë po i gëzojmë ato”, theksoi Gashi.
Po ashtu, ai i është kundërpërgjigjur kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Obiliqit, Halil Thaçi, i cili ka thënë se qytetarët do ta mposhtin keqqeverisjen e Gashit dhe e akuzoi këtë të fundit për korrupsion e nepotizëm.
Ai tha se Thaçi e ka marrë verdiktin e qytetarëve në garat lokale, teksa shton se tani në prag fushate bëhen dhe deklarata të tilla, të cilat i quajti akuza të pabaza.
“Sa për kandidatin në fjalë – ai është matur më parë në garat lokale, dhe verdiktin e ka dhënë vetë qytetari i Obiliqit. Sa i përket deklaratave të z. Halil Thaçi, e kuptoj që tashmë jemi në prag të fushatës para zgjedhore dhe kandidatët bëjnë deklarata të tilla. Nuk është hera e parë që dëgjojmë akuza të pabaza, ne i besojmë organeve të drejtësisë dhe besojmë ne verditktin e tyre, kurse me vjen keq që ne shtëpitë e tyre dhe rrugët e Obiliqit provohen të manipulohen me premtime të pa baza, e më vjen shumë keq që disa nga ta kanë rënë pre e falsifikimeve të dokumenteve, e them me keqardhje që për shkak të mashtrimeve dhe manipulimeve të tyre po përballen me drejtësi. Ne, besojmë tek qytetarët të cilat kanë dëshmuar me besimin e tyre dhe falë bashkëpunimeve me ta, ja kemi dal ta ndryshojmë Obiliqin. Do të vazhdojmë prapë bashkëpunimin me qytetarët”, ka deklaruar Xhafer Gashi./Gazeta Blic/
Lladrovci synon edhe një mandat në krye të Drenasit – ka një mesazh për kundërkandidatët


