Lajme

Policia has në prerës ilegalë të druve në Malet e Sharrit – ata ikin dhe i vënë zjarrin automjetit

06/08/2025 07:10
nga:G B

Policia dje gjatë patrullimit në Malet e Sharrit, në rrugën për në Luboten, ka hasur një automjet tip xhip me rimorkio të ngarkuar me dru të prerë ilegalisht.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se pavarësisht sinjaleve të policisë për ndalim, personat e dyshuar kanë vazhduar lëvizjen.

Më pas, në një rrugë malore, policia thotë se të dyshuarit kanë shkarkuar disa dru për të penguar policinë, i kanë vënë zjarrin automjetit dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë, komandanti i stacionit policor, një njësi e NJRSH dhe janë njoftuar edhe zyrtarët e Parkut Kombëtar ‘Sharri’”, thuhet në njoftim.

Policia shton se janë ndërmarrë veprime hetimore dhe është në proces identifikimi i të dyshuarve.