Lajme

”Trepça” nxjerr sqarim mbi incidentin në Stantërg: Pajisja është rikthyer në funksion të rregullt

06/04/2025 15:07
nga:G B

Ndërmarrja metalurgjike ‘’Trepça’’ ka dhënë njoftim sqarues mbi atë që e quajnë, incident, i cili pasoi gjatë punimeve të sotme në Stantërg.

Siç thuhet, shkaktari i mundshëm i tij, është dobësimi i bulonave të kapakut, që ka lejuar rritjen e presionit dhe dëmtimin e tij, transmeton klankosova.tv.

”Gjatë ndërrimit të parë, rreth orës 10:15, ka ndodhur një incident teknik i lehtë gjatë procesit të zbrazjes së hirit nga një cisternë transportuese në ambientet operative të Trepça Sh.A.

Gjatë kyçjes së zorrës së kamionit, është dëgjuar një zhurmë në pjesën e sipërme të cisternës dhe është konstatuar dëmtimi i kapakut, duke sjellë daljen e një sasie të vogël hiri në sipërfaqe dhe krijimin e një shtrese pluhuri para objektit.

Menjëherë është ndërhyrë nga ekipi teknik, janë kryer kontrollet e nevojshme, dhe është konstatuar se pajisjet ndihmëse (gypi i sillosit dhe zorra e zbrazjes) ishin funksionale. Sipas vlerësimeve fillestare, shkaktari i mundshëm është dobësimi i bulonave të kapakut, që ka lejuar rritjen e presionit dhe dëmtimin e tij.

Fatmirësisht, nuk është raportuar asnjë lëndim dhe asnjë dëm material. Pas ndërhyrjes teknike, pajisja është rikthyer në funksion të rregullt dhe puna ka vazhduar normalisht”.

Pamje gjatë incidentit:

Vendndodhja ku është shpërndarë hirin pas dëmtimit të kapakut

Pamje pas sanimit:

Pajisjet të rivendosura dhe zona e pastruar plotësisht

”Trepça” mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të standardeve të sigurisë teknike dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme të proceseve prodhuese, thuhet në njoftim.