Lajme

Dreshaj, AAK: ‘Kosova do të ketë Qeveri para zgjedhjeve lokale’

05/31/2025 19:44
nga:Y I

Sot ka dështuar edhe tentativa e 24-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Sërish PDK, LDK, AAK-Nisma dhe Lista Serbe nuk kanë propozuar anëtarët për Komisionin për votim të fshehtë.

Nga 96 deputetë që ishin në sallë, 53 deputetë votuan për, një kundër dhe si zakonisht nuk pati asnjë abstenim.

Në lidhje me krizën institucionale në vend ka folur për “Gazeta Blic” ish-deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

Dreshaj tha se situata politike aktuale është e rëndë dhe e padëshiruar veçanërisht në rrethanat aktuale gjeostrategjike.

Ai tha se nën qeverisjen e Kurtit, Kosova, ka qenë faktor destabiliteti dhe promotor i konflikteve me ose pa fajin e saj.

Ish-deputeti i AAK-së, Dreshaj, tha se ‘mendësia dhe veçoria e Kurtit karakterizohen nga refuzimi, këmbëngulja e tepruar dhe bllokimi institucional’

“Situata politike në vend është e rëndë dhe e padëshiruar, veçanërisht në rrethanat aktuale gjeostrategjike.Interesi i Kosovës është promovimi i saj si subjekt stabilizues në vend dhe rajon.Nën qeverisjen e zotit Kurti, Kosova ka qenë faktor destabiliteti dhe promotor i konflikteve, me ose pa fajin e saj.Mendësia dhe veçoria e z. Kurti karakterizohen nga refuzimi, këmbëngulja e tepruar dhe bllokimi institucional, me qëllim promovimin e Kosovës si një vend të paqëndrueshëm dhe problematik. Kjo vërehet edhe në seancat për krijimin e strukturave të Kuvendit, ku ai mban para vetes flamurin kuq e zi, i cili është flamur kombëtar dhe jo simbol i shtetit të Kosovës” deklaroi Dreshaj.

Ai u shpreh se Kurti është i frikësuar nga rënia nga pushteti.

“Kjo strategji nuk i shkon për shtat Kosovës, si një vend i ri që duhet të promovojë stabilitet dhe seriozitet, si në nivel vendor ashtu edhe në atë rajonal.Mendoj se z. Kurti është i frikësuar nga rënia nga pushteti dhe, eventualisht, burgosja e shumicës së ministrave dhe deputetëve të VV-së për skandalet lidhur me energjinë dhe problemet e tjera në vend. Në këtë aferë është përfshirë edhe vetë Kryeministri, për shkak të rezervave shtetërore” .

Por pavarësisht krizës momentale, Dreshaj, u shpreh se Kosova do të ketë Qeveri para zgjedhjeve lokale.

Ndërsa sa i përket zgjedhjeve të përgjithshme ai tha se mund të priten në muajin prill të vitit 2026.

“Kërkesa për formimin e Komisionit parlamentar me votim të fshehtë është pengesa e dytë në radhë për krijimin dhe funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës, pas propozimit të zonjës Haxhiu, e cila në mandatin e kaluar ka qenë konfliktuoze dhe jo tolerante ndaj opozitës në Kuvend.Sa i përket pyetjes suaj konkrete nëse vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja ju them se:- Së pari, duhet të krijohet Kuvendi dhe strukturat e tij,- Të testohet mundësia e krijimit të Qeverisë nga partia fituese, një ose dy herë,- Eventualisht të testohet edhe partia e dytë nga ish-opozita,- Më pas, flasim për zgjedhje eventuale”

“Unë mendoj se Kosova do të ketë Qeveri para zgjedhjeve lokale në vend. Zgjedhjet e reja në nivel kombëtar mund të priten në muajin prill të vitit 2026, me rastin e krizës eventuale presidenciale ose pas përfundimit të këtij mandati qeverisës” tha Dreshaj në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”

/Gazeta Blic/