Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim disa anëtarë të stafit të Kongresit amerikan, të cilët janë pjesë e programit ‘2025 Balkan Forward Fellows’
Në njoftimin e ZKM-së, Kurti i ka falënderuar ata për interesimin dhe angazhimin e tyre ndaj rajonit.
Kurti ka theksuar marrëdhënien e veçantë të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që është forcuar ndër vite përmes mbështetjes dypartiake në Shtetet e Bashkuara.
“Kryeministri i njoftoi rreth zhvillimeve aktuale në vend, përfshirë përparimin ekonomik, reformat demokratike, luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e të drejtave të njeriut, siç evidentohen edhe nga raportet ndërkombëtare. Gjatë bisedës, u diskutua rrugëtimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe reformat përkatëse, fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, dhe procesi i dialogut me Serbinë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Për këtë të fundit, kryeministri ritheksoi rëndësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër” thuhet në njoftim raporton “Gazeta Blic”.
Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e qëndrueshmërisë ekonomike dhe bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.


