Lajme

“I qetë në vendimmarrje dhe i guximshëm në veprim” Haziri për kandidatin e LDK-së për kryetar të Gjilanit!

05/29/2025 23:05
nga:Y I

Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka thënë se vendimi që Arbër Ismajli të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të komunës ka ardhur pas një procesi të kujdesshëm të konsultimeve me kryesinë e degës.

Haziri tha se nominimi i Ismajlit si kandidat për kryetar të Gjilanit është vendim i përbashkët i tij dhe i kryesisë së degës së LDK-së në Gjilan.

“Ky është një vendim që vjen si rezultat i një besimi të ndërsjellë dhe vlerësimi të thellë për punën, përkushtimin dhe vizionin që Arbëri ka dëshmuar gjatë viteve, veçanërisht si nënkryetar i Komunës, por edhe si një aktivist i palodhur i LDK-së për tri dekada. Ai është pjesë e gjeneratës së dytë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjeneratë e artë e familjes sonë politike”.

“Nominimi i tij është vendim i përbashkët i imi dhe i Kryesisë së Degës sonë në Gjilan, si shprehje e bindjes sonë se ai do të dijë ta udhëheqë Gjilanin me dinjitet, me përkushtim dhe me dashuri për qytetin”, shkroi Haziri.