Nesër është tentativa e 23-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.
Deri tani Lëvizja Vetëvendosje s’ka arritur t’i sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Mos-konstituimi i Kuvendit ka krijuar një krizë dhe ngërç institucional në vend.
Në lidhje me situatën e krijuar dhe se çfarë pritet të ndodhë nesër në seancë ka folur për “Gazeta Blic”, politologu, Albinot Maloku.
Maloku tha se tashmë çështja e zgjidhjes së kryekuvendarit ka filluar të bëhet monotone dhe e dëmshme për qytetarët dhe shtetin.
Ai tha se LVV-ja nuk e ka pranuar kurrë faktin se votuesit i dhanë vetëm 48 deputetë.
“Çështja e zgjedhjes së kreut të Kuvendit në legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës ka filluar të bëhet jo vetëm monotone, por edhe e dëmshme për nevojat e qytetarëve dhe të shtetit. Nesër bëhen plot 23 “mirë u pafshim” që nga nisja e seancës konstitutive të Kuvendit — një nisje që, fatkeqësisht, ka qenë e mbrapsht”
“Sjellja e të parit pas procesit zgjedhor të 9 shkurtit të vitit rrjedhës ka qenë e mbrapsht. Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka pranuar kurrë faktin se votuesit i dhanë vetëm 48 deputetë — numër ky i pamjaftueshëm për të imponuar të drejtën për propozimin e kreut të Kuvendit, e cila, sipas rendit kushtetues në Kosovë i takon të parit pas procesit zgjedhor si propozim – mirëpo duhet ti ketë edhe votat tjera pasi zgjedhja e kreut të Kuvendit kërkon mbështetjen e shumicës prej 61 deputetësh, e nëse nuk ka një marrëveshje politike paraprake nuk ka asgjë nga e drejta e propozimit” tha Maloku për “Gazeta Blic”.
Politologu Maloku tha se ‘qasja e nxitur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kreu i saj, që i mohon rëndësinë dhe urgjencën problematikave aktuale, është shndërruar në një fenomen që po ndikon negativisht në gjithë sistemin shoqëror dhe politik’
“Masa e shpërftyrimit të arsyes ka kaluar në një nivele shqetësuese për shoqërinë tone, kur bëhet fjalë për 22 dështimet e seancës konstitutive. Relativizimi i çështjeve serioze dhe banalizimi i diskursit publik rreth peshës së përgjegjësisë dhe fajsisë është bërë qëllim në vetvete. Qasja, e nxitur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kreu i saj, që i mohon rëndësinë dhe urgjencën problematikave aktuale, është shndërruar në një fenomen që po ndikon negativisht në gjithë sistemin shoqëror dhe politik” deklaroi Maloku.
Maloku tha se subjektet e tjera politike kanë ofruar alternativa të qarta për të dalë nga kjo situatë.
Ai tha se i vetmi që ka zgjedhur të bllokojë procesin është subjekti që ka dalë i pari në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Ndërkohë, subjektet e tjera politike kanë ofruar alternativa të qarta për të dalë nga kjo situatë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paraqitur emra që është e gatshme t’i votojë; Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur emra të tjerë; Nisma Socialdemokrate ka shfaqur vullnet për partneritet dhe kontribut në Kuvend përmes një marrëveshje politike; ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë e qartë në qëndrimin e saj për të qëndruar në opozitë. Pra, i vetmi që ka zgjedhur të bllokojë procesin është subjekti i pare pas procesit zgjedhor të 9 shkurtit 2025, i cili po mbyllet në interpretimet e tij të njëanshme të situatës. Kjo qasje tashmë është e njohur për të gjithë — si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës” deklaroi politologu, Albinot Maloku, në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


