Nesër pritet të mbahet seanca e 23-të me radhë për konstituimine Kuvendit.
Deri tani Lëvizja Vetëvendosje s’ka arritur t’i sigurojë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Në lidhje me këtë situatë të krijuar ka folur për “Gazeta Blic”, ish-deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.
Bytyqi tha se palët nuk kanë treguar vullnet për të kapërcyer ndasitë.
“Në prag të seancës së nesërme parlamentare, mbetet e paqartë nëse do të ketë një zhbllokim real të ngërçit institucional që ka paralizuar jetën politike në vend. Vlerësimi im mbështetet në disa faktorë thelbësorë: Mungesa e dialogut politik vazhdon të jetë thembra e Akilit e këtij procesi. Palët nuk kanë treguar vullnet për të kapërcyer ndasitë me qëllim forcimin e institucioneve” tha Bytyqi.
Bytyqi tha se pozita ka zgjedhur një qasje përjashtuese ndërsa opozita po shfrytëzon bllokadën si taktikë politike por pa paraqitur një ofertë të qartë përpos AAK-së.
“Pozita, ndonëse me shumicë numerike, ka zgjedhur një qasje përjashtuese dhe shpeshherë vepron me arrogancë politike, duke anashkaluar frymën e bashkëpunimit dhe kontrollit demokratik.Opozita, në anën tjetër, po shfrytëzon bllokadën si taktikë politike, por pa paraqitur një ofertë të qartë përpos AAK e cila ka dhanë opcionet e saja” deklaroi ajo.
Ish-deputetja Bytyqi potencoi se seanca e nesërme ka më shumë gjasë të jetë një tjetër betejë retorike, sesa një përpjekje substanciale për të çuar përpara zgjidhjen institucionale.
“Seanca e nesërme, për aq sa mund të vlerësohet nga zhvillimet aktuale, ka më shumë gjasë të jetë një tjetër betejë retorike, sesa një përpjekje substanciale për të çuar përpara zgjidhjen institucionale.Prandaj, pritshmëritë për zhbllokim janë të ulëta , përderisa nuk ka sinjale të qarta për kompromis, maturi politike dhe vendosmëri për të lënë pas interesat partiake në dobi të interesit shtetëror” tha ish-deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Albana Bytyqi, AAK!
Nesër pritet të jetë tentativa e 23-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.
/Gazeta Blic/


